Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Pas rastit të Mimoza Zenollarit, nga Babrruja e Tiranës, e cila pret të lindë 4 vajza, në maternitetin e Tiranës është shënuar një tjetër rast i rrallë. Kësaj here bëhet fjalë për 27 vjeçaren Elda Kamberi nga fshati Ruzhdie, pranë qytetit të Fierit, e cila pret të lind plot 4 djem njëherësh. Ndryshe nga rasti i Mimozës, 27 vjeçarja nga Fieri gëzon shëndet të plotë dhe ndodhet në ambientet e Maternitetit të Tiranës, nën vëzhgimin e vazhdueshëm të mjekëve.

Vetë nëna e re, e cila ka provuar më parë, humbjen e një fëmije të porsalindur, thotë se është tepër e gëzuar që do të lind katër fëmijë dhe ky lajm që i kanë dhënë mjekët, nuk e ka shqetësuar aspak atë.

Gazetarja:- Kur e morët vesh që prisnit 4 djem, si u ndjet?

Elda:- “Kam shkuar për një vizitë në konsultoren e Fierit, atje më dërguan për të bërë një ekografi dhe doktori më tha, se kisha 4 djem. U ndjeva shumë e gëzuar, si unë ashtu edhe burri, po kisha dhe vajzën me vete dhe ajo u kënaq shumë, që do të bëhej me 4 vëllezër. Frikë nuk ndiejë, por edhe probleme nuk kam pasur. Vetëm se për të parë ecurinë e shtatzënisë më kanë shtruar”.

Por vështirësia ndoshta qëndron në mënyrën se si do të mundet familja Kamberi të rrisë 5 fëmijë njëherësh, pasi ata ndërkohë kanë një vajzë 5 vjeçare. Elda rrëfen se ajo është një shtëpiake, ndërsa burri i saj punon mësues me një rrogë modeste, në shkollën e fshatit.

Elda:- “Burri im punon mësues, por në fakt edhe kushtet nuk i kemi, megjithatë me sakrificë do t’i mbajë, sepse ndjejë një kënaqësi shumë të madhe, që Zoti më ka bërë atë dhuratë, që më ka dhënë 4 djem dhe më pëlqen shumë”./tvklan.al

Gazetare – Fjodora Fjora