Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Konstatimi më i fundit nga Brukseli për vendet e Ballkanit Perëndimor, vjen kësaj radhe nga një institucion me njohje ndërkombëtare dhe me një kontribut të shquar në çështjet e Ballkanit, siç është grupi ndërkombëtar i krizave, publikuar nga radio DW. Sipas tij, gjatë këtyre 18 muajve të fundit në Serbi dhe Shqipëri janë bërë hapa prapa.

Një nga zyrtarët evropian Nikolas White, pohoi se para 18 muajve, Brukseli ishte optimist përsa i takon situatës së përgjithshme në Shqipëri, si dhe forcimit të lidhjeve të saj me BE dhe NATO-n, por që atëherë gjërat kanë mbetur në vend dhe Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë reformë të qenësishme, si rrjedhojë tani mungon dhe interesi për të nxitur përshpejtimin e bisedimeve që do të afronin Shqipërinë me BE.

Sipas zyrtarit evropian, qeveria shqiptare duket se interesohet më shumë për interesat e saj dhe se aspiratat e vendit duket se nuk janë aq të rëndësishme për të. Megjithatë White shton, se deri në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Shqipëri në vitin 2005, ka ende kohë që punët të marrin për mbarë. Ky raport është vlerësuar nga opozita, ndërsa mazhoranca qeverisëse këmbëngul se po punohet për thellimin e reformave.

Bardhyl Agasi:- “Së pari për të mbajtur një qëndrim duhet ta njohësh dhe ta diskutosh, ta analizosh mirë raportin, gjë që nga ana jonë deri më sot nuk është bërë, se sapo jemi njohur nëpërmjet medias, por PS ka qenë e hapur dhe gjithmonë ka mbajtur qëndrim dhe ka rritur preokupimin akoma më shumë kur ka pasur vërejtje të kësaj natyre. Unë jam i sigurt që edhe qeveria, që ka reflektuar gjithmonë, do të ketë edhe një angazhim gjithnjë e më të madh, që po shfaq për thellimin e reformave në mënyrë që të përmbushim ato standarde, ato nivele që kërkon edhe Bashkimi Europian”.

Jemin Gjana:- “Problemi i reformave, probleme të trafiqeve dhe një sërë problemesh të tjera janë kushtëzime të Komunitetit Europian në procesin tonë të integrimit. Duke i njohur dhe duke i ditur këto shqetësime, që tashmë nuk janë më vetëm shqetësime të opozitës politike në vend, janë shqetësime të shoqërisë shqiptare, por shqetësimet që vijnë prej komunitetit ndërkombëtar, normalisht përgjegjësi është kryeministri shqiptar, ai që e konsideron veten kryetar i mazhorancës, kryetar i progresistëve, por që në të vërtetë mbetet kryetar i regresistëve, për sa kohë që Shqipëria nuk bënë asnjë hap përpara drejt procesit të integrimit dhe progresit”./tvklan.al

Gazetare – Arta Tozaj