Grupi parlamentar demokrat i ndarë përfundimisht në dy linja kundërshtare. Ndërsa Pollo dhe deputetët përkrahës të tij zhvillonin mbledhje në kryesinë e Kuvendit, kryetari Jemin Gjana i zgjedhur nga këshilli kombëtar thërret deputetët në selinë blu.

Jemin Gjana: Unë vazhdoj akoma ta quaj ca kontradikta formale pa një thelb të vërtetë dhe vazhdoj të apeloj për të gjithë kolegët që kur njoftohen për mbledhje të grupit të jenë prezent në mbledhjet e grupit. Ka një praktikë që ne ka dy vjet që mblidhemi me grupin parlamentar dhe gjithmonë jemi mbledhur tek selia e PD-së së pari. Së dyti në selinë e Parlamentit ne kemi një zyrë e cila nuk është e mjaftueshme për të bërë një mbledhje me 20 veta ose me 15 a 17 veta të grupit parlamentar. Dhe e treta përgjithësisht këto janë zyra që janë për kryesinë e grupit ashtu siç funksionon tek PS, funksionon dhe tek PD-ja.

Grupi kundërshtar i kryesuar nga Pollo vazhdon të këmbëngulë në jolegjitimitetin e grupit parlamentar të kryesuar nga Jemin Gjana. Leonard Demi ka shprehur sot kontestimet ndaj zgjedhjes së Berishës.

Leonard Demi: Kryesia e grupit parlamentar të PD-së nuk ka dhënë dorëheqje nga funksionet e tyre. Ata dhanë dorëheqje nga funksionet partiake. Kështu që Ylli Vejsiu, Ferdinand Xhaferri nuk janë as kompetencë e këshillit kombëtar të PD-së në bazë të statutit të ri. Prandaj ata nuk kanë pse të lëvizin nga funksionet që mbajnë. Gjithashtu dhe zoti Pollo nuk e ka dhënë këtë dorëheqje. Dhe nuk është e drejtë që zoti Gjana të mbledhë në një anë grupin parlamentar.

Të dy grupimet e deputetëve brenda grupit parlamentar të PD-së pretendojnë se e drejta qëndron në anën e tyre. Ndërsa Gjana akuzon mbështetjen e forumeve të partisë dhe Pollo ka mbështetjen e disa deputetëve duket se kompromisi është ende larg. Përveçse krijimit të dy minigrupeve paralele brenda Partisë Demokratike kjo nuk mund të quhet kurrsesi fillimi i një beteje politike për demokratizimin e partisë ashtu siç pretendojnë kundërshtarët e Berishës./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego