Trajneri i kombëtares shqiptare Arie Haan ka dalë i paqartë përpara gazetarëve, se cilët futbollistë do të rreshtojë në fushë në takimin debutues ndaj Suedisë, i vlefshëm për kualifikueset e Kupës së Botës 2010.

Haani i është përgjigjur pyetjes së televizionit Klan se ai njeh mirë lojtarët që ka në dispozicion me fjalët.

Arie Haan: “Është vështirë të njohësh futbollistët kaq shpejt, me dy ndeshje miqësore dhe me disa ditë stërvitje nuk mund të dish cilësitë e secilit, psh Besart Berishën do ta kem në dispozicion për herë të parë në një takim.”

Megjithatë Haan gjatë konferencës ka krijuar përshtypjen se mund të përdorë të njëjtin rreshtim si me miqësoren me Lihtenshteinin, pra 4 5 1. Haan tregoi për gazetarët se i ka këshilluar futbollistët të mos luajnë si individ, por të jenë njësh me ekipin duke qarkulluar topin. Trajneri i Shqipërisë sqaroi se rreziku më i madh do të jetë pa dyshim Zlatan Ibrahimovic, kështu që mbrojtja nuk duhet t’i lejojë yllit të Interit të prekë topin.

Sfida e Shqipëri-Suedi do të luhet të shtunën në ora 18 e 45 në stadiumin “Qemal Stafa” që pritet të jetë i mbushur plot./tvklan.al

Gazetar: Endrit Sauku