Trajneri i kombëtares shqiptare të futbollit, Arie Haan, ka ndjekur sot ndeshjen e kampionatit shqiptar të futbollit për të parë lojtarët që do të përfshijë në listën e tij kundër Maltës.

Holandezi ka qenë në Lushnjë për të parë përballjen e ekipit vendas ndaj Elbasanit, ndërsa nesër në “Qemal Stafa” ai do të ndjekë Tirana-Shkumbini.

Nga ana tjetër trajneri i skuadrës malteze, Dusan Fitzel, do të shohë gjendjen e futbollistëve të tij në një ndeshje miqësore që Malta do të luajë sot kundër hungarezëve të Ferencvarosh. Kjo do të jetë edhe nisja e përgatitjeve të kombëtares ishullore për ndeshjen kundër Shqipërisë.

Kundër kombëtares tonë Maltës do t’i mungojë sulmuesi Daniel Bogdanoviç, i cili nuk do të luajë pesë javë.

Dusan Fitzel ka pranuar se do t’i shërbejë kjo ndeshje miqësore për të parë se në çfarë forme janë futbollistët e tij, të cilët nuk kanë luajtur një ndeshje ndërkombëtare që prej Nëntorit të 2008-tës.

Kjo ndeshje, ka thënë ai, do t’i japë mundësinë të gjithë lojtarëve të tregojnë se janë të gatshëm për përballjen më Shqipërinë.

Michael Mifsud dhe Andre Schembri nuk do të luajnë në këtë miqësore, por do të jenë të gatshëm për ndeshjen e 11 Shkurtit kundër përfaqësueses tonë./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe