Presidenti i UEFA-s, Michel Platini ka përshëndetur Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të Federatës Shqiptare të Futbollit në ditën e saj të punimeve. Kreu i futbollit në kontinentet deklaroi se ndihma e UEFA-s ndaj Shqipërisë nuk ka munguar dhe do të vazhdojë. Platini pranoi se në konceptin e tij të gjitha Federatat anëtare janë të njëjta dhe këtë e justifikon edhe pranimi i më shumë skuadrave dhe kombëtareve në të ardhmen në aktivitet që organizohen nga UEFA. Michel Platini i cili ka qenë në Shqipëri për herë të parë në vitin 1990 si trajner i kombëtares franceze ka vlerësuar ecurinë e futbollit në vend.

Michel Platini: “Konstatova se gjërat në futbollin shqiptar po përmirësohen nga ditë në ditë duke shkuar në një rrugë të drejtë. Mund të them që futbolli shqiptar po ecën me hapa gjigande dhe rezultati i arritur në Portugali është një shenjë e qartë”.

Vizita e shefit të UEFA-s, Michel Platini në Shqipëri është pjesë e turit të tij që vijon me Bullgari, Rumani dhe Çeki. Pas largimit të Platini në Asamblenë e Përgjithshme të Zakonshme të FSHF-së u miratuan ndryshimet në statutin e këtij organizmi dhe buxheti i vitit të shoqëruar me debate. Asambleja vendosi t’i falë klubeve borxhet e prapambetura që janë rreth 87 milionë lekë./tvklan.al

Gazetari: Endrit Sauku

Operatori: Ben Haxhiaj

Montazh: Ergis Hasanbelli