Java e nëntë e Superligës Shqiptare do të kulmojë të dielën me sfidën e vendeve të para Tirana-Besa.

Bardhë e blutë ndodhen të parët, katër pikë larg skuadrës kavajase dhe synojnë që të shtojnë edhe më shumë distancën me ndjekësit.

Alban Tafaj: “Lojtarët që kemi e njohin mirë lojën e sulmit si dy sulmuesit që kemi të mirëfilltë, qoftë dhe lojtarët anësorë, qoftë dhe Agolli, qoftë Muzaka. Dhe ato janë një shtysë përpara. Mendoj lojë sulmuese, mendoj që ne duam ta rrisim rezultatin që i intereson skuadrës sonë, pra fitimin e ndeshjes.”

Të përqendruar te stërvitja dhe pa komente për shtypin Besa e Ilir Dajës që ka arritur katër rezultate pozitive radhazi pritet të jetë një pengesë për Tiranën, megjithatë kryeqytetasit, të cilët humbjen e fundit në ekipin kavajas e kanë më 21 Shkurt të 2007-ës kanë mbrojtjen më të mirë së bashku me Elbasanin dhe sulmin më rezultativ pas Shkumbinit.

Takimin Tirana-Besa që do të luhet të dielën në ora 17:00 në stadiumin “Qemal Stafa” pritet ta ndjekë nga afër dhe trajneri i kombëtares, Arie Haan.

Javën e nëntë e plotësojnë takimet Vllaznia-Elbasani, Partizani-Shkumbini, Apolonia-Dinamo, Flamurtari-Bylis dhe Lushnja-Teuta./tvklan.al

Gazetar: Erion Todhe