Një vit plot ngjarje, me enigma ende të pazgjidhura si ajo e vdekjes së Mehmet Shehut, koha e krizës ekonomike, do të jenë sonte në programin “Histori me zhurmues 1981”.

Ç’ndodhi me familjen e kryeministrit shqiptar më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë, truproja personale e Mehmet Shehut, Ali Ceno, i akuzuar për bashkëpunim me agjenturat e huaja, përgatitja e vrasjes së Enver Hoxhës do të jetë një nga dëshmitë e vitit 1981.

Ali Ceno: ”Mehmeti vendosi që këtë fejesë ta prishi dhe shprehimisht më është drejtuar mua në oborrin e shtëpisë, Ali, kësaj i thonë tha që të hysh në ndjenjat e fëmijës”.

Vitet e arta të volejbollit të vajzave, si u bë ky sport aq i dashur në gjithë Shqipërinë, madje deri në disa kooperativa e fshatra.

Si spikatën vajzat e Krutjes, si arritën jo vetëm të kapin kategorinë e parë, por të marrin pjesë edhe në aktivitete ndërkombëtare.

Vjollca Qose: “Në Lushnjë ekzistonte një ekip volejbolli edhe dy ekipe në atë kohë volejbolli nuk lejoheshin që të luanin në kampionatin kombëtar, dmth, do luante ose Krutja ose Lushnja. Edhe në mes të dy, si të Krutjes, dhe të Lushnjës është bërë një ndeshje eliminuese ku Krutja ka fituar”.

Por viti 1981 ka pasur edhe momente të tjera interesante, siç ishte shkëlqimi i estradës së Fierit falë shkrimtarit e regjisorit Pëllumb Kulla, por edhe mjaft aktorëve të tjerë si Fuat Boci, Luftar Paja, Hasan Bregu, Vasil Vaso e natyrisht dyshes simpatike Todi Llupi e Arqile Lipe.

Sonte i ftuari Arqile Lipe do të sjellë kujtimet e tij sesi nga kaldajist i teatrit u bë një nga aktorët më simpatikë e më të dashur për publikun, me parodinë “Po martojmë Malon” e mjaft materiale të tjera humoristike.

Arqile Lipe: “Ne si shqiptarë ose si Shqipëri 3 milion ishim, zumë pesë kokrra dhe këto pesë kokrra artistësh, për shembull Vlora me katërshen e parodistëve, Shkodra fillon me të madhin Tano Banushi, përfundon me Zef Deda. Ishte i madhi në Durrës, ishte Fadil Hasa, Aleko Prodani në Korçë. Ishte një grup që kur mblidheshim për natën e Vitit të Ri ne më tepër ishim shokë sesa konkurrencë”.

Dhe veç asaj për çka ndodhte brenda kufijve të Shqipërisë, një dëshmi ekskluzive për ngjarjet e vitit 1981 në Kosovë.

Viti i kthesës, dëshmia e deputetit dhe ish-kryeministrit të Kosovës, Bajram Kosumi, një nga organizatorët e protestave të asaj pranvere, shkaqet dhe si u kallëzua lëvizja studentore.

Bajram Kosumi: “Në vitin ’81 bëhet një kthesë e skajshme. Shqiptarët e kuptojnë se shteti jugosllav përfundimisht nuk është i tyre se shqiptarët në shtetin jugosllav janë element i huaj, element i padëshirueshëm dhe pozicionohen kundër shtetit jugosllav për të krijuar shtetin e Kosovës”./tvklan.al