Ish-ministri i Shëndetësisë akuzohet për shpërdorim detyre: Të vërtetën time do e ballafaqoj në gjykatë

Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj u njoh mëngjesin e të hënës me akuzën e shpërdorimit të detyrës nga Prokuroria e Posaçme.

Beqaj u paraqit në SPAK pas përfundimit të hetimeve ndaj tij dhe 8 të pandehurve të tjerë. Këtyre të fundit iu komunikuan akuzat të premten e shkuar. Pasi u mor i pandehur për çështjen e sterilizimit, ish-ministri i Shëndetësisë tha për mediat se të vërtetën e tij do ta ballafaqojë në Gjykatë.

“Prokuroria në 50 muaj nuk ia doli të hetojë dy elementë kryesorë që ka një proces sterilizimi: uljen e ditëqëndrimit të pacientëve në spital dhe uljen e ditëve të përdorimit të antibiotikëve në spital. Nëse do të kishin bërë këtë vlerësim, që ne do të kërkojmë të bëhet atëherë konvertimi i këtyre kursimeve në para do ta nxjerrë me të vërtetë një proces në fitim për financat publike dhe për xhepat e qytetarëve. Unë të vërtetën time do ta përballoj në gjykatë ku besoj se do të dalë e vërteta e përfitimeve që kanë pasur gjithë shqiptarët.”

Në bazë të hetimeve të SPAK rezulton se marrëveshja mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe bashkimit të operatorëve ekonomikë që fitoi koncesionin me vlerë 100 milion Euro me afat 10-vjeçar dyshohet se favorizonte koncesionarin.

Raportet e bëra ndër vite nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë ngritur alarmin se ky koncesion po i shkaktonte një dëm të madh ekonomik buxhetit të shtetit pasi kostot kishin nisur të rriteshin me 20-30% më shumë nga ç’ishin parashikuar në kontratë.

Për këtë dosje, të arrestuar janë ish zv.ministri i Shëndetësisë Klodjan Rrjepaj dhe fituesi i koncesionit, biznesmeni Illir Rrapaj. 

Klan News