Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Lëvizja Socialiste për Integrim ka vijuar takimet kësaj radhe me elektoratin socialistë, të njësisë bashkiake nr.5 të kryeqytetit. Përveç deputetëve nismëtar të lëvizjes, si Meta, Brokaj, Prifti etj, në podiumin e sallës së Akademisë së Arteve, kanë dhënë kontributin e tyre si anëtarë në LSI, profesor dhe akademikë si Syrja Hysi dhe veli Llakaj.

Ish-kryeministri Ilir Meta sqaroi banorët e Tiranës së re, se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është në opozitë me Partinë Socialiste.

Ilir Meta: “Sepse ne dhe ju, jeni vetë Partia Socialiste. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është një bashkim të pakënaqurish, por është një iniciativë konstruktive e individëve me integritet moral e profesional, që nuk pajtohen me politikën e depersonalizimit, që ndjek lidershipi aktual socialist. Lëvizja Socialiste për Integrim nuk është në opozitë me PS dhe me socialistët, por me mënyrën se si qeveriset sot vendi dhe se si i drejtohet PS nga një grup që ka uzurpuar strukturat e saj”.

Duke risjellë në vëmendje nivelin e ulët të zhvillimit ekonomik dhe reformave integruese, si dhe shifrat e larta të papunësisë, varfërisë nën minimumin jetik, përqendrimit të ekonomisë së vendit në duart e pushtetarëve, Ilir Meta i quajti shkaktarë qeverinë e papërgjegjshme, por edhe opozitën destruktive, që sipas tij qëndron ende në alternativën famëkeqe të vitit 97. Për të, ilaçi që kuron partinë është parimi një anëtar një vote.

Lëvizja Socialiste për Integrim ka karakter konstruktiv, ndaj nëse reagimi i lidershipit socialistë mbetet refraktarë, atëherë ne do të përfaqësojmë këtë forcë të madhe të të gjithë socialistëve, tha Ilir Meta.

Ilir Meta: “Sepse ne kemi aftësitë, përvojën dhe mbështetjen tuaj, për të qeverisur Shqipërinë me dinjitet dhe në të mirë të të gjithëve dhe jo vetëm të disave”.

Sabit Brokaj shpjegoi arsyet që çuan në qëndrimin kundërshtues të disa deputetëve ndaj drejtuesve të partisë.

Sabit Brokaj: “Politika e Partisë Socialiste u bë më penguese më pak progresiste, më shumë klienteliste, më pak demokratike, e kulmuar me kongresin emër keq. Në këto kushte është krejt normale për cilindo qytetarë të ndërgjegjshëm, që t’i vërë gishtin kokës dhe të mbajë një nga dy qëndrimet, ose të nënshtrohet dhe të bëhet ndërkaq materia e një politike të korruptuar dhe servile, ose duhet me dinjitet të organizohet për të vepruar politikisht për të përmirësuar në mënyrë të plotë politikën dhe qeverisjen në vend”./tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj