Lajme Arkiva 2003

Ilir Meta është pritur në Pezë nga kryetari i komunës Nezir Ramazani ish kryetari i Partisë Socialiste në këtë degë Gani Kola si edhe kryetarë të shoqatës së veteranëve. Kryetari aktual i Partisë socialiste, Dilaver Dorzi nuk ishte i pranishëm pasi nuk ishte i njoftuar zyrtarisht nga selia qendrore në këtë takim. Ish kryeministri Meta zgjodhi kështjellën e patriotizmit, fshatin simbol të bashkimit për interesa të mëdha kombëtare siç i quajti ai për të qartësuar me bazën socialiste pezake nëse merren në konsideratë mendimet e anëtarësisë në të gjitha nivelet apo jo.

Meta kujtoi letrën për diskutim që i kishte shtruar kryesisë së Partisë Socialiste e cila e kishte injoruar pavarësisht se shqetësimi ngrihej nga një zëvendës kryeministër.

Ilir Meta: Po kur duhej të flisja unë sipas këtyre shokëve? Mos duhet të flisja unë kur shtypi i lirë dhe media e pavarur të asfiksohej plotësisht? Kur Shqipëria të kthehej në krye të listave së vendeve problematike për demokracinë? Kur disa monopole që po realizohen të konsolidohen plotësisht dhe të rrënojnë biznesin e vogël dhe të mesëm dhe konkurrencën dhe të kontrollojnë gjithçka? Apo kur në emër të gjoja stabilitetit fals dhe të rremë të heqin mandatet e përfaqësimit të të zgjedhurve tuaj, apo të presim sa të formalizohet neni i vjetër për agjitacion dhe propagandë në vitin 2003. Përse disa shokë në mënyrë tinëzare, apo të hapur përpiqen të ndalojnë takimet e mia dhe të shokëve tanë me socialistët në bazë duke u bërë presione edhe të turpshme. Këta paskan hallin e PS-së dhe Ilir Meta dhe shokët e tjerë deputet na dashkan të keqen e Partisë Socialiste. Ishin pikërisht këta shokë të cilët na paskan shqetësim të madh se Ilir Meta po përçan partinë duke u takuar me bazën e partisë, të cilët nga zyrat e shtetit dhe të partisë, u dërguan fakse të përgatitura disa kryetarëve tanë në rrethe që ata ti kthenin përsëri ato në Tiranë në të njëjtën numër faksi nga ku u nisën që të kërcënonin deputetët me heqje mandatesh dhe kërcënime gjoja në emër të bazës. Ata duhet të ndalin presionet e tyre, sepse nuk më ndalin dot as mua, as shokët tanë deputetët dhe as ju që takoheni me njëri-tjetrin, sepse nuk më kanë ndalur dhe nuk na kanë ndalur as Berisha dikur dhe s’ka guxim dhe s’ka kurajë dhe forcë ta bëjë këtë askush në të ardhmen, sepse unë dhe shumë shokë të tjerë duke patur respektin më të madh për të gjithë ish anëtarët e partisë së punës të cilët u bashkuam në Partinë Socialiste. Dua t’ju bëj të qartë disa prej tyre që mbetën në Partinë Socialiste se nuk kishin se ku të shkonin dhe që sot duan të na tregojnë derën se nga dilet nga Partia Socialiste, se ne nuk mbetëm po servilë, se nuk mbetëm në Partinë Socialiste nga halli se nuk kishim ku të shkonim tjetër dhe nuk kishte kush të na pranonte, por ne zgjodhëm Partinë Socialiste në momentet më të vështira duke parë te e ardhmja dhe duke patur besim se kjo parti do të bëjë një parti internacionale socialiste dhe jo siç duan ta kthejnë këta servilë dhe mëkatarë. Jam këtu sot sepse nesër do të jetë shumë vonë dhe çdo zvarritje e kësaj statutoje do të na kushtojë të gjithëve dhe do ti kushtoj vendit. Për të gjithë ata shok që janë mësuar të kritikojnë shokun tonë Fatos në këto 11 vjet vetëm pasi ai i heq nga karrigia unë dua të shpreh keqardhjen.

Në Pezë ish kryeministri Meta ka realizuar qeverisjen e vendit ku drejtohej prej tij duke pranuar edhe gabime.

Ilir Meta: Unë e kam pranuar se duhet të isha më i kujdesshëm për të evituar disa emërime me tendenca krahinaliste apo edhe të disa të rinjve që nuk e justifikuan veten dhe nuk treguan pjekurinë e duhur. Ashtu siç kam pranuar se gradualisht u izolova nga realiteti dhe disa probleme sepse servilët që përmendët ju, kur je kryeministër të rrethojnë me shumë dashuri dhe përkushtim dhe pastaj të dalin kundër për tu abonuar të kryeministri i radhës.

Pas problemeve në Partinë Socialiste, Meta u është kthyer shqetësimeve në vend duke përmendur rënien e numrit të turistëve nga viti i kaluar, vrasjen e drejtuesve të policisë, kritikoi pamjet e policëve që shqyen dyert e transmetuesve televiziv, rasti flagrant sipas tij ishte televizioni ALSAT.

Ilir Meta: Ndaj e ftoj shokun tonë Fatos që të kthehet sa më shpejt nga pushimet dhe të marrë përgjegjësitë për situatat e krijuara dhe për normalizimin e plotë të jetës në vend. Të kthejë edhe drejtorët që ka marrë me vete, se të ardhurat e buxhetit të shtetit kanë probleme në sektorët që ata drejtojnë. Mjaft me hipokrizi dhe falsitet. Duhet të rindezim motorët e qeverisjes sonë socialiste  dhe të heqim dorë nga drejtimi me vela i qeverisë në këtë det të hapur dhe plot probleme./tvklan.al