Fitimi për qytetarët të cilët kursejnë para në banka ka arritur në minimumin më të ulët historik.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të Marsit, interesi për depozitat e reja në Lekë me afat 12 muaj, zbriti në 0.57%. Në rënie janë edhe interesat për depozitat me afat 2-vjeçar, norma e interesit të të cilave arriti në 1.15%, ndërsa për kursimet në euro interesi vjetor shkoi në 0.11%.

Ekspertët thonë se të ardhurat që mund të merren nga këto kursime jo vetëm që janë minimale, por po ashtu në terma realë qytetarët humbin nga kursimet e tyre. Nëse depoziton një shumë prej 1 milionë lekësh në vit dhe i shton këtu normën mesatare të inflacionit prej 1.56%, humbja reale arrin në 9 mijë e 900 lekë.

Por ekonomistët thonë se vetë depozituesit nuk duhet të jenë kaq konservatorë. Nëse dy qëllimet kryesore të kursimit janë shkollimi i fëmijëve dhe pensioni, atëherë mund të shihen alternativa të tjera.

Ekspertët tregojnë se për një pjesë të kursimeve, sidomos ato afatgjata, mund të merren një risk më i lartë, duke i investuar në fonde pensioni të licencuar dhe kontrolluar nga autoritetet që blejnë tituj financiarë në bursa dhe sjellin fitime më të mëdha.

Tv Klan