Simone Inzaghi hyn në librat e historisë së Interit. Me fitoren ndaj Empolit, tekniku italian u ngjit në kuotën e 100 fitoreve me klubin zikaltër në të gjithë kompeticionet. Klubi milanez arriti fitoren e 25-të të sezonit në kampionat, teksa Inzaghi rreshtohet krah emrave të rëndësishëm të trajningut të kësaj skuadre. 

Përpara tij gjendet një emër si Arpad Weisz, me 110 fitore pas 212 ndeshjeve, Giovanni Trapattoni me 126 triumfe pas 230 përballjeve dhe Roberto Mancini me 176 fitore në 303 ndeshje.

Kjo renditje speciale mbahet nga Helenio Herrera, me 205 fitore në 366 sfida të drejtuara nga stoli i Interit. Gjithsesi, për Inzaghin, kuota e 100 fitoreve është arritur në 150 ndeshje në stolin e Interit. 47-vjeçari italian ka përqindjen më të lartë të fitoreve nga çdo trajner që kaloi më shumë se një vit në stolin e zikaltërve.

Inzaghi ka fituar 66.67% të takimeve, ndërsa është në rrugën e duhur për të ngritur lart titullin kampion për herë të 20-të në historinë e klubit italian. Ndaj toskanëve, Inter arriti të ruaj edhe trendin e shënimit të golave këtë sezon, pasi e ka bërë një gjë të tillë në të 30-të ndeshjet e kampionatit.

Klan News