Irlanda, Norvegjia dhe Spanja kanë njoftuar planet për të njohur Palestinën si shtet të pavarur nga 28 maji.

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez ka bërë të ditur se vendimi nuk është kundër Izraelit dhe nuk është në favor të Hamasit, por në favor të paqes.

Pedro Sanchez: Pas arritjes së një konsensusi midis dy partive që përbëjnë qeverinë e koalicionit progresiv dhe duke i bërë jehonë ndjenjës së shumicës së popullit spanjoll, të martën e ardhshme më 28 maj, Spanja do të miratojë në këshillin e saj të ministrave njohjen e Shtetit të Palestinës. Një gjë është e qartë se kryeministri Netanyahu nuk ka asnjë projekt paqeje për Palestinën.

Kryeministri i Irlandës, Simon Harris dhe ai i Norvegjisë u shprehën se ky ishte një vendim i përbashkët dhe shumë historik drejt një paqe mes dy shteteve.

Simon Harris: Ne deklarojmë qartë mbështetjen tonë të qartë për të drejtën e barabartë për siguri, dinjitet dhe vetëvendosje për popujt palestinezë dhe izraelitë.

Jonas Gahr Stoere: Njohja e Palestinës është një investim në të vetmen zgjidhje që mund të sjellë paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Është një thirrje e fortë për vendet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë.

Norvegjia do të njohë Palestinën si shtet më shumë se 30 vjet pas marrëveshjes së parë të Oslos, e cila u nënshkrua më 1993. Ky vendim historik nxiti kundërshtim të ashpër nga Izraeli dhe gëzim nga palestinezët.

Izraeli i tërhoqi menjëherë ambasadorët e vet nga Norvegjia dhe Irlanda. Ministri i jashtëm izraelit u shpreh vendimi i këtyre shteteve u dërgon një mesazh palestinezëve dhe botës se terrorizmi paguan dhe se ky hap i shtrembëruar nga këto vende është një padrejtësi ndaj viktimave dhe një goditje ndaj përpjekjeve për kthimin e 128 pengjeve. Presidenti i Autoritetit Palestinez, Mahmoud Abhas, e mirëpriti vendimin e Norvegjisë për njohjen e shtetit palestinez dhe u bëri thirrje vendeve të tjera të ndjekin të njëjtën rrugë.

Anëtarët e Bashkimit Evropian Sllovenia dhe Malta kanë treguar gjithashtu javët e fundit se planifikojnë të bëjnë njohjen, duke argumentuar se një zgjidhje me dy shtete është thelbësore për paqen e qëndrueshme në rajon. Vendimi i tyre vjen në një kohë kur forcat izraelite po kryejnë sulme në pjesët veriore dhe jugore të Rripit të Gazës, duke shkaktuar zhvendosjen e qindra mijëra njerëzve, dhe duke e kufizuar dukshëm futjen e ndihmave në enklavën palestineze.

Klan News