Franc Vraniski, ish Kancelari i Austrisë rivjen në Shqipëri në krye të një delegacioni bizneshmenësh dhe bankierësh austriakë. Vraniski i njohur mjaft për shqiptarët, sidomos gjatë krizës së katër viteve më parë për misionin e tij si ideator mes partive politike për krijimin e qeverisë së stabilitetit,tashmë në takime me krerë të lartë të shtetit shqiptar si me Presidentin Mejdani, ka kërkuar më shumë hapërisë për biznesin austrisak.

Mejdani dhe Vraniski përveç hapave që po bën në ndërtimin e infrastrukturës dhe biznesit në Shqipëri si dhe mundësinë e biznesmenëve austriakë këtu, kanë diskutuar dhe për problemet aktuale në rajon dhe krizën në Maqedoni. Dy politikanët kanë nënvizuar nevojën e dialogut politik dhe të zgjidhjes me qetësi të problemeve për të larguar ekstremizmin dhe dhunën.

Një takim të veçantë Vraniski kishte më pas dhe me kryesocialistin Fatos Nano dhe me kryetarin e Komisionit Parlamentar. Nano dhe Vraniski kanë diskutuar mbi zhvillimet më të fundit politik në Shqipëri dhe në rajon ku vend të veçantë zuri konflikti në Maqedoni. Nano ka folur më pas për projektet në kuadër të Paktit të Stabilitetit duke e quajur si të vetmen mundësi integrimi për rajonin tonë.

Pas Nanos Vraniski është takuar dhe me Kryeminsitrin Ilir Meta. Ky i fundit ka bërë një rezyme të investimeve dhe zhvillimeve më të fundit në Shqipëri duke e quajtur një hap para. Ai ka ftuar biznesmenët që shoqërinin Vraniskin që të investonin në Shqipëri. Vraniski nga ana e tij ka përshëndetur punën e qeverisë shqiptare si dhe ka shkëmbyer mendime me Metën për zgjidhjen e konfliktit në Maqedoni./tvklan.al

Gazetar: Eduart Frangaj