Ish-shefi i sektorit pranë Agjencisë së mbikëqyrjes Policore në Durrës, Kushtrim Selimi i cili me portalin e tij shantazhonte drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, është përfshirë në një tjetër paligjshmëri.

Gjatë hetimeve të kryera nga Prokuroria dhe AMP, është zbuluar se Selimi, duke shfrytëzuar pozicionin, ka zaptuar një sipërfaqe trualli, pronë shtetërore në lagjen “Kallm” të Durrësit, ku dhe ka ndërtuar në mënyrë të jashtëligjshme një vilë.

Sipas një njoftimi të AMP-së, mjetet e nevojshme për ndërtimin e vilës janë siguruar nga punonjësit e policisë Edmond Plaku, Skender Sakaj, Kastriot Karafili dhe Ardian Jonuzi. Këta të fundit thuhet në njoftim, kanë qenë në dijeni të veprimeve të paligjshme nga Selimi.

Përveç efektivëve të policisë që janë pezulluar nga detyra, me vendim gjykate, u caktua detyrim paraqitje edhe për Regina Omeri, gjithashtu nën hetim më herët për portalin shantazhues.

Masë “arrest në burg’ u caktua për Metin Vogli dhe Kushtrim Selimin. Ky i fundit i cili akuzohet për ndërtim të paligjshëm dhe vjedhje energjie, rezulton se është larguar drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Selimi ndodhej në masë sigurie detyrim paraqitje për portalin që shantazhonte drejtuesit e policisë por gjatë kësaj periudhe u arratis drejt Kosovës, dhe më pas shkoi në Angli.

Klan News