Kryetarja e kuvendit, Jozefina Topalli, dhe njëkohësisht nënkryetarja e Partisë Demokratike, i ka ftuar të rinjtë shkodranë të bëhen pjesë e politikës.

Gjatë një takimi festiv që pati me të rinjtë e forumit rinor demokrat të këtij qyteti Topalli iu kërkoi atyre të jenë pjesë dhe mbështetës të reformave të mëdha që ka ndërmarrë Shqipëria pasi ata janë të rinjtë e një vendi që po ratifikon me ritme të shpejta MSA-në dhe së shpejti shpreson të jetë anëtar i Bashkimit Evropian.

Jozefina Topalli: “Shqipëria sot ka një rritje ekonomike në mënyrë të veçantë për ato që studiojnë ekonomi prej 6% prej disa vitesh. Kjo nuk është gjë e vogël. Kjo është shumë e rëndësishme. Është një ekonomi me bazë solide, është një ekonomi entuziaste, është një shoqëri që ka bërë të mundur që vetëm në vitet e fundit të sjellin në Shqipëri investime me një rritje me 70% dhe të bëjnë të mundur që qytetarët e vet të kursejnë me një rritje prej 19%. Natyrisht kjo s’është perfekte. Natyrisht ne synojmë shumë dhe përtej, por vërtet ne kemi nevojë për mbështetjen e të rinjve”.

Topalli u premtoi të rinjve se Partia Demokratike është e hapur për investimin e të rinjve në rrugën e politikës dhe se nesër ata do të jenë deputetët e ardhshëm evropianë.

Thirrjes për të nisur rrugën e politikës iu bashkuan dhjetëra të rinj shkodranë, të cilët morën teserën e anëtarësimit nga nënkryetarja e Partisë Demokratike, Jozefina Topalli./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami