Kanadaja i bashkohet Shteteve të Bashkuara të Amerikës për vendosjen e tarifave ndaj automjeteve elektrike kineze.

“Ne do të vendosim një tarifë 100% për automjetet elektrike të prodhimit kinez. Po e transformojmë sektorin e automobilave të Kanadasë për të qenë një lider global në ndërtimin e automjeteve të së nesërmes, por aktorë si Kina kanë zgjedhur t’i japin vetes një avantazh të padrejtë në tregun global”, tha kryeministri Justin Trudeau.

Ai tha se taksa 100 për qind do të vendoset për të gjitha automjetet elektrike të prodhimit kinez, duke filluar nga 1 tetori. Në SHBA, Kanada dhe Evropë ekziston frika se automjetet elektrike kineze me kosto të ulët do të vërshojnë tregjet e tyre dhe do të nxjerrin prodhuesit dhe furnizuesit vendas jashtë tregut.

Të vetmet makina elektrike që importohen nga Kina për momentin janë Tesla, të cilat prodhohen në një fabrikë në Shanghai. Kompania amerikane Tesla mund ta shmangë këtë tarifë duke e kaluar prodhimin për tregun kanadez tek fabrikat në Shtetet e Bashkuara ose në Gjermani.

Një zëdhënës i Ministrisë së Tregtisë së Kinës tha se ky vendim ndikon seriozisht në marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve.

Klan News