Qyteti më i madh i Kanadasë, Toronto është përfshirë nga përmbytjet. Si pasojë akset kryesore rrugore në këtë qytet janë mbyllur.

Shërbimi i metrosë po rikthehet gradualisht, por ka ende devijime dhe vonesa të shumta.

Që nga mbrëmja e së martës një stuhi e fortë ka lënë rreth 45,000 klientë pa energji elektrike ndërsa ende nuk ka një afat kohor se kur mund të rregullohet rrjeti.

Pamjet video të shpërndara nga një dëshmitar okular tregojnë pemët, linjat elektrike të rrëzuara dhe makinat e zhytura në ujë. Brandy Rolle është një nga shoferët i cili u shpëtua nga ekipet e emergjencës.

“Po prisja dy orë në makinën time të përmbytur para se ekipet e emergjencës të reagonin. E gjitha kjo ndodhi shumë shpejt. Ata i nxorën të gjithë përfshirë edhe mua.”

Në të gjithë botën, stuhitë intensive të shiut po bëhen më të zakonshme për shkak të ndryshimeve klimatike, thonë ekspertët .

Këto stuhi sjellin probleme të mëdha në infrastrukturën e shumë qyteteve të cilat nuk janë krijuar për të përballuar një situatë të tillë.

Klan News