Bayern Munich shpreson ta harrojë sa më shpejt sezonin aktual në futbollin gjerman. Pas 11 vitesh, gjiganti i Bundesligës do të humbasë titullin kampion, pasi Bayer Leverkusen është vetëm 3 pikë larg kur deri në fund kanë mbetur edhe 6 takime. Por e njëjta gjë nuk mund të thuhet për Harry Kane. Sulmuesi anglez tregoi se është padyshim sulmuesi më i mirë në botë.

Goli në disfatën ndaj Hejdenhejm ishte i 38-ti sezonal, teksa ka asistuar edhe në 12 raste. Pra, një total kontributi në 50 gola të këtij sezoni për Bayern Munich, shifër që askush tjetër nuk e ka arritur në 5 ligat kryesore të Europës në një edicion të vetëm. Kane ka shënuar 32 herë në Bundesligën gjermane për të udhëhequr edhe garën për “Këpucën e Artë” të Europës.

Një formë e mirë nga ana e 30-vjeçarit, i cili nuk ka arritur të shmang turpërimin e Bayern Munich këtë sezon. Gjermanët janë në garë vetëm për titullin kampion në Ligën e Kampionëve, pasi u eliminuan shumë shpejt nga Kupa e Gjermanisë dhe 16 pikë i distancuar me Leverkusen në Bundesligë. Ritmi i Kane kënaq edhe trajnerin e kombëtares angleze, Gareth Southgate, që shpreson tek një formë e njëjtë edhe në Kampionatin Europian të kësaj vere.

Klan News