Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Afati i fundit që Ministri i Pushtetit Vendor i kishte vendosur kryetarëve të bashkive për krijimin e sistemit të ri të adresave ishte fundi i muajit qershor, por edhe pse kanë kaluar 4 muaj asgjë nuk ka ndryshuar. Përjashtim nuk bënë as bashkia e Tiranës, ku është krijuar një kaos i vërtetë nga mungesa e emrave të rrugëve apo numrave të banesave dhe pallateve.

Kryebashkiaku Rama thotë, se krijimi i sistemit të adresave është në kompetencat e minibashkive që sipas tij deri tani kanë bërë një punë mjaft të mirë.

Edi Rama: “Është një proces jashtëzakonisht i vështirë, jashtëzakonisht voluminoz, po përballohet nga njësitë bashkiake me një punë të lavdërueshme, dhe me të qenë gati do t’a çojmë më tutje përmes këshillit bashkiak dhe pastaj do të ecim me projektin e materializimit të tij.”

Ndërkaq Rama nuk jep asnjë afat, se kur Tirana do të ketë një sistem të ri adresash.

Edi Rama: “Kjo varet nga njësitë bashkiake, sepse jo të gjitha njësitë kanë të njëjtën problematik, për të përballuar dhe natyrisht do të varet nga fondet që do të kemi në dispozicion.”

Krijimi i sistemit të adresave është vendosur si kushte dhe nga ndërkombëtarët për integrimin e vendit ne Bashkimin Europian, por që do të ndikojë drejtpërdrejtë dhe në regjistrimin e votuesve që do të marri pjesë dhe në zgjedhjet parlamentare të 2005./tvklan.al

Gazetare: Elja Zotka