Pas skandalit të zbuluar në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” me stoqet e ilaçeve dhe abuzimet në emërime, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një inspektim të hollësishëm në këtë institucion.

Prej disa ditësh në dy zyra të drejtorisë së QSUT-së janë instaluar specialistë të këtij inspektorati, të cilët do të kalojnë në sitë të gjithë aktivitetin ekonomiko-financiar të vitit 2007-2008.

Tenderat dhe emërimet e specialistëve për të cilët kanë dyshime se janë punësuar pa diplomat përkatëse, kartelat e pacientëve, mandatet e arkëtimit dhe të gjitha blerjet e vogla të medikamenteve do të kalojnë në skanerin e KLSH.

Inspektorëve iu janë vënë në dispozicion të gjitha dosjet, mandat arkëtimet apo kartelat spitalore. Puna e KLSH do të zgjasë dy muaj dhe në 15 dhjetor specialistët pritet të dorëzojnë raportin e detajuar më të gjitha shkeljet, përgjegjësitë dhe faturën financiares si pasojë e abuzimeve.

Nisja e këtij inspektimi erdhi me evidentimin e abuzimeve pas emërimit në krye të shëndetësisë ministres Anila Godo. Nga ana tjetër auditi i MSH ka përfunduar më kontrollin e të gjitha spitaleve në rrethe. Ku gjithashtu janë konstatuar parregullsi me blerjen e ilaçeve dhe pritet dalja e përfundimeve./tvklan.al

Gazetare: Brunilda Cami