Greva e urisë duket të jetë kërcënimi më serioz i disa partive te vogla parlamentare si reagim ndaj ndryshimeve ne miratuara se fundmi ne kodin elektoral. Akuzat vinë në adresë të partive të mëdha si përgjegjëse sipas tyre  për prishje te ekuilibrave brenda institucionit që administron zgjedhjet e për pasoje krijimit të premisave për manipulim të votës.

Ilir Meta: “Pa dyshim që mund të ketë edhe grevë urie, ne do të përdorim të gjitha mjetet demokratike, nuk do të ketë fund, nuk do të ketë limit në të gjithë përpjekjet tona që të gjithë shqiptarët të ndërgjegjësohen për rrezikun e madh që i vjen jo LSI-së, nuk është problemi LSI-së, por që i vjen çdo shqiptari nga ky uzurpim i pacipë që çifti Rama-Berisha kërkon t’i bëjë gjithë jetës politike.”

Nard Ndoka: “Këto dy parti politike po përpiqen dhe të kontrollojnë procesin, ta manipulojnë atë sipas interesave të tyre, pra e thënë troç, të vjedhin votën e shqiptarëve. Nuk diskutohet që ne po tentojmë me dialogun edhe me Partinë Demokratike edhe me Partinë Socialiste, ndërgjegjësimin edhe me partitë e tjera parlamentare pa diskutim që greva e urisë është hapi i fundit. Në qoftë se do të kemi heshtjen e tyre diskutim që ne jemi të vendosur që do të mbrojmë votën e shqiptarëve me çdo çmim.”

U duk sikur në mbështetje të këtyre partive u pozicionua dhe Partia Demokracia Sociale për shkak të një emaili qe qarkulloi ne pothuaj te gjitha redaksitë e lajmeve. Por Milo e mohoi një fakt të tillë, duke u shprehur se kuvendi është vendi i vetëm ku mund të kundërshtohet të gjitha pakënaqësitë për reformën.

Paskal Milo: “Nuk di asgjë, s’kam dërguar asnjë letër, besoj se ka instrumente të tjerë të luftës politike për të vënë në vend padrejtësitë, ose për të bërë korrigjimet e duhura në kodin zgjedhor.”

Ndërkohë Edi Rama kryetar i Partisë Socialiste si reagim ndaj kërcënimit për grevë kujtoi progres-raportin e bashkimit Europian. Në raport thuhet se konsensusi mes mazhorances qeverisëse me partinë më të madhe në opozitë ka kontribuar në ecurinë e mëtejshme të reformës në gjyqësor dhe asaj elektorale.

Edi Rama: “Ku përcakton shprehimisht meritën e forcës më të madhe të opozitës, pra të Partisë Socialiste. Leximi i këtij vlerësimi edhe përpara opinionit publik nga ana juaj do të ishte një ndihmë e çmuar për të kthjelluar…”

Ky reagim i disa partive parlamentare vjen pas miratimit nga komisioni i reformës i formulës 6 plus 1 për Komisionin Qendrorë të Zgjedhjeve , thëne ndryshe reduktimin e tij me dy anëtare. Një vendim që kërcënon pjesëmarrjen e tyre në këtë komision./tvklan.al

Gazetar: Menada Zaimi

Operator: Petrit Xhaferri