Shqiptarët do të vijojnë të paguajnë dy taksa për automjetet, atë të qarkullimit dhe të regjistrimit të ndara nga njëra tjetra. Më para ministria e Financave kishte propozuar që këto taksa të bashkoheshin në një të vetme pa ndryshuar  masën e tyre për ta bërë sa më të thjeshtë për qytetarët.

Por edhe për pushtetin vendor i cili do të përfitonte 40% të shumë së vjelur apo rreth 2.1 miliard lekë në vit, ndërsa pjesa tjetër do ti kalonte pushtetit qendror. Por në kushtet kur qeveria është tërhequr nga projektligji për taksat vendore, komisioni i ekonomisë dhe financave ka rrëzuar sot ndryshimet e propozuara për taksën kombëtare, duke e lënë atë në gjendjen e mëparshme.

Florion Mima: “Arsyeja kryesore për rishqyrtimin e projektligjit të taksave nacionale në Kuvend ka të bëjë me tërheqjen nga ana e qeverisë të projektit të taksave vendore. Ndarjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, ndarjen po kështu me përqindje  të taksës së automjeteve. Pra shumica nga këto taksa  rikthehen në gjendjen e mëparshme.”

Duke qenë se buxheti shtesë nuk është shoqëruar me ndonjë paketë fiskale, deputetët e opozitës kanë qenë kundër miratimit me urgjencë të projektligjit për taksat kombëtare./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro