Votimi ose jo i dekreteve të presidentit Topi prej emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, do të vendoset nga seanca plenare. Komisioni Parlamentar i Ligjeve pas një mbledhje ku mbizotëruan debatet e ndezura politike, ka vendosur që t’i përcjellë seancës parlamentare një raport me 2 qëndrime. Në njërën anë mazhoranca konsideron procedurën e ndjekur nga kreu i shtetit në kundërshtim më kushtetutën, ndërsa opozita shprehet në mbështetje të procedurave të ndjekura nga presidenti Topi.

Fatos Beja: “Ka pas dy qëndrime të ndryshme, shumica konsiderojë, konstatojë se dekretet që kanë ardhur në parlament për emërimin e anëtarëve të gjykatës, nuk janë në përputhje me kërkesën e kushtetutës. Të dyja këto mendime do shkojnë në seancë dhe seanca është ajo që ka vendimmarrje, kuptohet”.

Fatmir Xhafaj: “I gjithë ky proces vazhdojë në shkelje të rregullores dhe kushtetutës. Ajo që vendosi mazhoranca sot është, Bamir Topi, Presidenti i Republikës së Shqipërisë ka shkelur kushtetutën. Ky ishte ajo që votojë sot komisioni me shumicë..”

Por gjatë mbledhjes Nënkryetari i komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, tha se mazhoranca nuk e ka problemin me emrat e paraqitur për shqyrtim, por me presidentin e republikës.

Fatmir Xhafaj: “Problemi është i thjeshtë fare. Presidenti i vendi i ardhur nga PD, ka guxuar të dali jashtë gardhit të kryeministrit dhe të kryetares së Kuvendit, ka guxuar që të mos sjelli kandidatura militante të PD”.

Ilir Bano: “Ne nuk synojmë që një ngjyrë e caktuar të ndërrojë me një ngjyrë tjetër, por jemi të vendosur dhe besojmë dhe në bashkëpunimin tuaj që të sigurojmë një pavarësi reale të këtyre institucioneve në funksion të arritjes së cilësisë dhe standardeve”.

Spiro Peçi: “Ne sot ndodhemi në një situatë e cila nuk krijon vend për asnjë lloj diskutimi. Efektivisht kemi dekretet e presidentit në tavolinë. Këto dekrete nuk mund t’i tërheq as presidenti më”.

Dekretet e presidentit Topi për anëtarë të Gjykatës së Lartë, janë dërguar në Kuvend në 12 dhe 22 maj, ndërsa janë përcjellë për shqyrtim në Komisonin e Ligjeve në 2 qershor. Vonesa në shqyrtimin e kandidaturave dhe kërkesa e kryeparlamentares Topalli për informacione rreth tyre drejtuar disa institucioneve, kanë ashpërsuar debatin politik të këtyre ditëve duke shkaktuar edhe përplasje institucionale mes Kuvendit e Presidencës./tvklan.al

Gazetare: Anila Rama

Operator: Isdor Rudho