Eagle Mobile operatori i tretë celular në vend ka arritur që në vetëm 10 muaj nga momenti i futjes në tregun shqiptar, të regjistrojë tashmë plot 300 mijë klientë.

Gjatë një interviste për televizionin Klan drejtori i përgjithshëm i Eagle Mobile zoti Ali Taskin theksoi se sinjali është shtrirë në pothuajse në të gjithë territorin e vendit.

Ali Taskin: “Në këtë periudhë kaq të shkurtër kemi arritur të kapim 11% të tregut të telefonisë së lëvizshme. Shërbimet tona mbulojnë rreth 97% të popullsisë dhe 91% të territorit. Numri i klientëve të Eagle Mobile ka arritur në 300 mijë, shifër kjo shumë e mirë. Ne kemi ndryshuar tregun, sidomos muajt e fundit. Kjo vihet re lehtësisht duke e rritur konkurrencën. Shqiptarët kanë pritur prej kohësh këto shërbime. Ne u japim klientëve atë çka ata presin si në aspektin teknik, cilësinë apo dhe çmimet.”

Zoti Taskin thotë se paralelisht është punuar dhe për shërbimin roaming, i shtrirë tashmë në më se 200 vende të botës. Së fundi kompania Eagle Mobile ka fituar të drejtën për t’i ofruar shërbime dhe një sërë institucionesh shtetërore.

Ali Taskin: “Kemi fituar tenderin për 8 ministri mes të cilave atë të telekomunikacionit, shëndetësisë apo arsimit, të cilat do të përdorin rrjetin Eagle. Në total përllogaritet se do të jenë 60 mijë persona në këto institucione, por ne besojmë se shumë shpejt do t’u shërbejmë edhe 120 mijë klientëve në institucionet qeveritare.”

Eagle Mobile pjesë e grupit turk Calik, po punon dhe në drejtim të përgjegjësive sociale. Duke iu bërë thirrje më se 30 bizneseve të tjera në vend, që së bashku të ndihmojnë sado pak jetimët shqiptarë./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro