Bizneset dhe qytetarët ankohen se po hasen mjaft vështirësi gjatë shit-blerjes së pronës për shkak të procedurave të tejzgjatura pranë zyrave të regjistrimit. Nuk mjafton të keni certifikatën e pronësisë të lëshuar nga hipoteka për të kryer transaksione me pronën, tashmë duhet të aplikoni për një tjetër kartelë në sistemin e ri të regjistrimit ç’ka ka sjellë konfuzion dhe vonesa. Në rang vendi vetëm 20% e zonave kadastrale të qyteteve janë të hedhura në këtë sistem.

Sonila Jazo:Gjithsej janë 3058 zona kadastrale nga të cilat rreth 150 janë zona urbane, të tjerat janë zona rurale. Brenda këtij numri të zonave rurale , rreth 80% e pasurive të regjistruara, tjetër është ecuria e regjistrimit fillestar në zonat urbane, ka një ecuri më të ngadaltë. Ka filluar regjistrimi që në vitin 95, regjistrimi fillestar në 90% të tyre, kurse për të përfunduar ka përfunduar vetëm në 20% të tyre.”

Sipas kryeregjistrueses, hedhja e të dhënave në sistemin e ri bëhet për të garantuar më shumë saktësinë e certifikatave të pronësisë. Megjithatë një gjë e tillë po bllokon tregun e pasurive të paluajtshme duke trembur sidomos investitorët.

Gjokë Uldedaj:Problemet e pronësisë kanë qenë gjithmonë probleme themelore, por edhe shqetësim i vazhdueshëm. Shpesh herë jemi ballafaquar me fakte me të cilat kanë hëngër kohë biznesit, ka pasur dhe raste të cilat pse jo dhe në drejtim të investitorëve të huaj kanë krijuar një lloj ngërçi.”

Edhe pranë studiove ligjore të cilat u ofrojnë asistencë si investitorëve ashtu edhe qytetarëve, konfirmojnë ritme të ngadalta në verifikimin e pastërtisë së certifikatave të pronësisë nga ana e zyrave të regjistrimit.

Oltian Hoxholli:Vështirësia qëndron e para te tempi, te koha e marrjes së informacionit që zyrat e regjistrimit të na japin informacionin sa më shpejt që e kërkojmë. Aq më tepër më rastet e dosjeve që janë voluminoze e kemi shumë të vështirë për t’i marrë, dmth qëndrojmë edhe me muaj. Nuk na japin informacionin që kërkojmë duke qenë se ne veprojmë në emër të klientit nuk është se shkojmë si palë e tretë. Për mangësi të ndryshme që mund të kenë qoftë të pajisjeve qoftë të stafit ndonjëherë”

Edhe Banka Botërore ndonëse vlerëson progresin e Shqipërisë në drejtim të klimës së biznesit në raportin e fundit “Të bësh biznes 2009”, konstaton se regjistrimi i pronës në Shqipëri kalon në 6 etapa për një total prej 42 ditësh ç’ka i ka ulur mjaft pikë vendit tonë në renditje./tvklan.al

Gazetra: Fjorald Zguro

Operator: Klevis Çaka, Metlin Kepi

Montazh: Renis Zela