Dhoma e Ulët e Kongresit amerikan ka nisur këtë të shtunë një tjetër përpjekje për të miratuar paketën e madhe të ndihmës financiare për Ukrainën për t’i bërë ballë sulmit rus, me vlerë mbi 60 miliardë Dollarë.

Përpjekja ka shkaktuar sërish përçarje mes republikanëve që kanë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, që mund të çojnë edhe në shkarkimin e kreut të kësaj dhome, republikanit Majk Xhonson.

Ishte pikërisht Xhonson që nxiti dërgimin për votim të kësaj pakete, së bashku me 3 paketa të tjera ndihmash, përfshirë edhe atë për Izraelin, që në total arrijnë në 95 miliardë Dollarë.

Një pjesë e ligjvënësve republikanë, ashtu si edhe demokratët, mbështetën paketën e ndihmës me argumentin se pozicioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në botë është në rrezik dhe se Ukraina, Izraeli dhe Tajvani kanë nevojë në mënyrë dëshpëruese për ndihmën e amerikanëve.

Ndërsa pjesa tjetër e republikanëve që i përkasin linjës së ashpër theksuan se amerikanët nuk e mbështesin financimin e luftërave të huaja, ndërkohë që qeveria nuk bën asgjë për të forcuar kufirin e Shteteve të Bashkuara me Meksikën.

Gjithashtu ata argumentuan se ky votim do të rriste edhe më tej borxhin e amerikanëve që tashmë ka kapur vlerën e 34 trilionë Dollarëve.

Gjithashtu, krahu konservator i republikanëve ka paralajmëruar se do të nisë një mocion për shkarkimin e Xhonsonit, ashtu siç bënë me Kevin Mekarthin, Tetorin e kaluar.

Tv Klan