Qeveria po përgatit argumentet e nevojshme për t’u përballur më kërkesën e Serbisë në gjykatën ndërkombëtare të drejtësisë. Një grup ekspertësh vendor dhe ndërkombëtar do të përpiqen që me fakte të argumentojnë ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme Vlora Çitaku mendon se argumentet janë në anën e Kosovës.

Vlora Çitaku: “Institucionet e Kosovës si presidenca, kryeministria dhe ministria e punëve të jashtme këto ditë kanë punuar intensivisht në përgatitjen e asaj që do të jetë platforma e Kosovës, para gjykatës ndërkombëtare të drejtësisë. Jemi në finalizim të procedurave, do të angazhohet një ekip i gjerë i përbërë nga ekspertë të njohur vendor dhe ndërkombëtar. Të cilët do të argumentojnë ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Ne do të përqendrohemi në 3 aspekte në kontekstin historik, politik dhe atë juridik.”

Serbia arriti ta marrë mbështetjen e shumicës  se anëtarëve të asamblesë së përgjithshme të OKB-së. Që gjykata ndërkombëtare e drejtësisë ta thotë fjalën e saj për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Megjithëkëtë Prishtina nuk e konsideron si një fitore të madhe të Beogradit.

Vlora Çitaku: “Nuk besojmë që ka arsye për panik dhe e besojmë që kjo është një betejë  e cila në fund do të shkojë në favor të Kosovës.”

Gjykata ndërkombëtare e drejtësisë pritet që brenda disa muajsh ta thotë mendimin e saj për shpalljen e pavarësisë së Kosovës./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki