Dy shtetet fqinje Maqedonia dhe Mali i Zi kanë dhënë sinjalet e forta se tashmë është çështje orësh se kur do ta marrin vendimin e tyre për ta njohur pavarësinë e Kosovës. Kryeministri Kosovar Hashim Thaçi duket se është në dijeni për këtë, por ai nuk dëshiron të flasë përpara se gjithçka te jetë zyrtare.

Pas një takimi që pati me shefin e ri të OSBE-së, kryeministri tha se nuk i takon Prishtinës që të shpallë vendimin e vendeve fqinje.

Hashim Thaçi: “Nuk na takon neve që të marrim udhë t’i proklamojmë vendimet e vendeve tjera për njohjen e Kosovës shteti i pavarur dhe sovran. Ne duhet të respektojmë raportet tona të bashkëpunimit dhe konfirmimeve të ndërsjella për vendimet që do të marrin vendet tjera në raport me Kosovën.  Dhe mirëkuptimin që do të tregojë Kosova dhe falënderimet për njohje,. Por njohje të reja do të ndodhin në të ardhme shumë të afërt, njohje të cilat do të jenë kontribuuese për paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në rajon. Që duhet të jenë në të ardhmen jo të largët edhe për të mirën e vetë Serbisë.”

Njohja e Kosovës nga Maqedonia dhe Mali i Zi konsiderohet si shumë e rëndësishme pasi që vendimi i tyre mund të nxitë edhe njohje tjera./tvklan.al

Gazetar: Leonard Kërquki