Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Fleta e votimit për zgjedhjet lokale do të ketë përmasa të paparashikuara. Fleta ku votuesi do të vërë shënimin e tij, ka një madhësi pak më shumë se gjysmë metri. 65 cm do të jetë e gjatë dhe 64 cm e gjerë. Kjo për shkak se kemi 20 subjekte zgjedhore me 11 kandidatë.

Renditja do të jetë sipas rendit alfabetik, majtas do të shënohet emri i kandidatit, nën të subjekti dhe koalicionet, e në krahun tjetër subjektet veçmas, por që mbështesin të njëjtin kandidat. Shenja e zgjedhësit do të vendoset në të djathtë të alternativës.

Pas regjistrimi të kandidatëve të 20 subjekteve zgjedhore në KQZ, anëtarët e këtij të fundit kanë nisur diskutimin për modelin përfundimtar të fletës së votimit. Për herë të parë është propozuar që të dy komponentët edhe subjekti dhe kandidati të jenë në të njëjtën fletë votimi.

Fleta e votimit do të ketë ngjyrë mente dhe të verdhë. Modeli i fletës së votimit kërkohet të përzgjidhet herët, pasi baza materiale duhet të jetë gati 12 ditë përpara zgjedhjeve./tvklan.al

Gazetare – Holta Zhiti