Kur fati i Reformës Zgjedhore ka ngelur tek vullneti i opozitës për t’iu rikthyer punës në Komisionin e Posaçëm, koha nuk pret dhe KQZ ka nisur përgatitjet për zgjedhjet e 30 Qershorit. Gjithçka po zbatohet sipas ligjit të vjetër. Po në zbatim të këtij ligji, kryetari i KQZ kërkon që edhe partitë të përmbushin detyrimet që u ngarkon ai.

“Por sfida përballohet me sukses, kur të gjithë bëhemi të vetëdijshëm se zgjedhjet nuk janë çështje vetëm e institucioneve dhe nuk varen vetëm nga fati i reformës zgjedhore. Sfida e zgjedhjeve do të përballohet me sukses, kur partitë politike pjesëmarrëse në to, veçanërisht partitë që ligji i ngarkon me përgjegjësi administrimi do të kuptojnë dhe pranojnë se detyrimet e tyre ligjore në raport me administrimin nuk janë opsione, nuk formojnë privilegj dhe as avantazh”.

Zguri i kujton forcave politike dhe detyrimin për të bërë transparencën e financimeve të tyre, detyrimin që është anashkaluar ndër vite.

“Raportet financiare depozitohen pas zgjedhjeve, por dokumentimi i finacimit bëhet sot. Sot mbahen llogaritë. Sot plotësohen detyrimet ndaj ligjit. Nëse partitë këtë detyrim e lëne për pas zgjedhjeve, atëherë standardi zgjedhor nuk do arrihet dot, nuk do ketë transparencë, do të ketë financim ilegal dhe, pse jo, përdorim të parave për qëllime të kundraligjshme. Ndaj unë dua t’i kujtoj sot publikisht për këtë detyrim të tyre”.

Aktualisht puna e Komisionin të Posaçëm Bipartizan për Reformën Zgjedhore është ndalur. Shumica e ka përfunduar një draft ku janë përfshirë vetëm amendimet e OSBE ODIHR-it. Opozita është jashtë parlamentit dhe ka deklaruar se nuk do të rikthehet nëse nuk miratohet propozimi i saj për vettingun e politikanëve.

Tv Klan