Programi i ri i PS do ti japë zgjidhje masakrës që është bërë në vite pasurisë së përbashkët të shqiptarëve. Kështu ka deklaruar lideri i opozitës Edi Rama gjatë prezantimit të dokumentit të ri qeverisës së socialistëve në një takim me banorë të Fushë Arrëzit. Sipas tij asetet kombëtare do të shndërrohen në mirëqenie për të gjithë shqiptarët.

Edi Rama: “Ne do të marrim të gjitha masat dhe do të bëjmë gjithçka mundemi me mish dhe me shpirt që ta ndalim këtë shkatërrim dhe që pasuritë tona të përbashkëta ti vëmë në dispozicion të shoqërisë sonë. Duke ndryshuar rrënjësisht edhe marrëdhënien me zonat rurale dhe me zonat fshatare të vendit.”

Gjatë fjalës së tij Rama u ndal edhe në fenomenin e largimit të të rinjve nga Shqipëria duke thënë se Partia Socialiste do të bëjë realitet tregun e punës, ku të gjithë të mund të jetojnë e punojnë në vendin e tyre

Edi Rama: “Nuk ka arsye që ne ti shohim me zili fqinjët tanë rreth e rrotull, nuk ka arsye që ne të shohim nga qielli dhe të mos marrim përgjigje ndërkohë që kemi një vend që është një dhuratë bujare e Zotit, të cilin ne duhet të kthejmë në vendin e mirëqenies sonë të përbashkët. Unë jam këtu që të mos keni edhe 4 vjet të tjera si këto që po mbarojnë. Unë jam këtu që ne së bashku të transformojmë Shqipërinë.”

Në takimin e tij me banorë të Sukthit në Durrës sekretari Organizativ i Partisë Socialiste Blendi Klosi është ndalur tek strategjia që ka opozita e majtë për të nxjerrë vendin nga varfëria. Ai u shpreh se zgjidhja do të jetë një skemë e re e ndihmës për familjet në nevojë.

Blendi Klosi: “Brenda mandatit tonë qeverisës, pra brenda 4 vjetëshit tonë qeverisës ne do të 4-fishojmë ndihmën ekonomike për shtresat në nevojë. Ajo qe do të synojmë është brenda mandatit tonë qeverisës të mos ketë familje të varfra që nga ndihma e shtetit të mos përballojnë dot jetën e tyre dhe të mos ketë prindër të cilët të mos jenë dinjitoz karshi fëmijëve të tyre vetëm pse janë të varfër.”/tvklan.al