Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka vijuar me prezantimin e programit qeverisës në fshatin Llakatund të Vlorës. Rama ka bërë të ditur disa nga pikat e këtij programi, duke u ndalur kryesisht tek zhvillimi i fshatit. Në fjalën e tij kryesocialisti ka deklaruar, se Shqipëria vuan nga varfëria pasi gjatë gjithë kohës kanë munguar përgjigjet e duhura nga ana e qeverisë.

Edi Rama: “Ne do krijojmë ministrinë e zhvillimit rural, e cila do të fokusohet tek fshati, e cila do të përqendrojë të gjitha fuqitë tona intelektuale dhe financiare për zhvillimin e fshatit dhe e cila do të jetë në krah të të gjithë bujqve dhe fermerëve shqiptar, të të gjitha komunave e fshatrave të vendit për t’i hapur rrugë një zhvillimi që jo vetëm nuk është i pamundur, por që është i tëri në dorën tonë.”

Sipas Ramës lufta ndaj varfërisë në zonat rurale është shumë e vështirë, por ai tha se Partia Socialiste është e vendosur të përballet me të.

Edi Rama: “Duhet të hapet një epokë e re e cila duhet të fillojë me dhënien e titujve të pronësisë për të gjithë bujqit dhe fermerët me sigurimin dhe konsolidimin e tokës përmes një kodi të ri të tokës dhe duhet të vazhdojë me krijimin e një aleance strategjike mes bujkut e fermerit nga njëra anë dhe shtetit nga ana tjetër.”

Në fund Rama ka deklaruar se të gjitha premtimet që po bëhen nga PS do të zbatohen, pasi programi është konsultuar me qytetarëve dhe do të ndajë Shqipërinë nga e shkuara e saj./tvklan.al

Gazetar: Eno Luarasi