Programi i Partisë Socialiste për turizmin është prezantuar nga kryetari i saj Edi Rama në takimin që ai pati me qytetarë të Durrësit. Duke e quajtur strategjinë e qeverisë për turizmin si të dështuar, Rama tha, se programi i ri qeverisës i Partisë Socialiste synon ngritjen e këtij shërbimi në nivelet e vendeve evropiane. Kjo sipas tij falë investimeve në infrastrukturë, politikave të licencimit dhe standardeve  bashkëkohore.

Edi Rama: “Ne nuk jemi kundër asnjë forme të përparuar të zhvillimit, por ne jemi kundër që në emër të formave të përparuara të zhvillimit, Shqipërisë dhe shqiptarëve tu lihen në derë rrangalle, hekurishte dhe teknologji të cilat Europa ku ne duam të integrohemi ka nevojë të nxjerrë jashtë, kjo do të mbarë më 28 qershor.”

Bashkëpunimi me grupet e interesit do të jetë baza e suksesit tonë në zhvillimin e turizmit- tha Rama, duke u shprehur se strategjia e hartuar nga ekspertët e selisë rozë do të mundësojë rritjen e numrit të turistëve në vend.

Edi Rama: “Ne do të qeverisim përmes forumesh të bashkëqeverisjes. Vetëm nga bindja e thellë se ata që të përfaqësojnë janë aty për të përfaqësuar ty dhe jo për të të tradhtuar në çdo hap thjesht dhe vetëm për interesat e tyre në kundërshtim me interesat e tua.”

Rama premtoi se qeverisja socialiste e pas 28 qershorit do ta kthejë Shqipërinë në një prej destinacioneve kryesore të turizmit rajonal./tvklan.al