Partia Socialiste 91 do të jetë subjekti më i ri që i shtohet spektrit politik shqiptar. Petro Koçi i zgjedhur në krye të kësaj force politike thotë, se përfaqësuesit e saj janë socialistët e vërtetë që themeluan PS.

Petro Koçi: “Është një parti që duhet t’i shërbejë fitores së garantuar të së majtës në zgjedhjet që vijnë, sepse rruga e ndryshme pra e heshtjes tonë do të ishte rruga e dështimit. Me martesën politike Rama-Berisha, e majta është përfundimisht  e dështuar.”

Në pozicionin e sekretarit të përgjithshëm do të jetë Makbule Çeço, një tjetër ish-përfaqësuese në struktura drejtuese në PS. Petro Koçi thotë për Klan, se partia që drejton do të jetë e hapur për bashkëpunim edhe me ish-kryetarin e selisë rozë Fatos Nano.

Petro  Koçi: “Zoti Rama ka shpallur përjashtimin e Fatos Nanos nga projekti politik. Ne mendojmë që figura të tilla  përfaqësojnë kapital të rëndësishëm politik si Fatos Nano, duhet të jenë pjesë e proceseve politike në vend dhe mendoj se rruga e përjashtimit që ka ndjekur zoti Rama është një rrugë e gabuar dhe që ka çuar në shkatërrimin e PS përveç të tjerash.”

Në këtë mënyrë PS pëson të dytën ndarje pas asaj që çoi në krijimin e LSI, si pasojë e përplasjeve Nano-Meta. Sot selia rozë shënon edhe një tjetër ndarje parimore. Ku Petro Koçi për shkak të mos marrëveshjeve me kreun aktual Edi Rama e ka shndërruar në subjekt politik lëvizjen e tij institucionale./tvklan.alGazetare: Menada Zaimi