Situata e turbullt në ekonomi dhe financat globale, po jep ndikim edhe në tregun vendas të banesave. Agjencitë imobiliare thonë se aktualisht oferta është më e lartë se sa kërkesa, por megjithatë nuk po vihet re ndonjë ulje e çmimeve të apartamenteve.

Dritan Caka: “Oferta relativisht është më e madhe se sa kërkesa në momentin që flasim, vetëm se ka një lloj hezitimi nga ana e blerësve për të kryer operacionet e blerjes, qytetarët presin si do të shkojë tregu. Ka objekte të pa shitura kryesisht pallate të periferive. Çmimi në këto zona besoj që do të ndryshojë.”

Një tjetër faktor që frenon blerjen e shtëpive është dhe kredi dhënia e bankave. Në kushtet kur emigrantët po sjellin gjithmonë e më pak para në vend, e vetmja shpresë mbetet financimi nga banka tregtare.

Sipas agjencive imobiliare, problematika me kolateralin për një numër të madh ndërtimesh ka frenuar kredinë për qytetarët. Bankat tregtare në vend thonë, se kanë likuiditet të mjaftueshëm për të mbuluar kërkesën për kredi. Dhe se hezitimi qëndron tek vetë qytetarët.

Robert Wright: “Fondet janë aty, edhe oferta për pasuri të paluajtshme është e madhe, pra në njëfarë mënyrë është moment i mirë për të blerë, por kjo varet nga dëshira e qytetarëve për të blerë apo jo dhe parandjenja për të ardhmen. Kriteret e riskut për rastin e huadhënieve për blerje banesash nuk ka ndryshuar. Ndërsa normat e interesit për shkak të pasigurisë kanë njohur një rritje të vogël.”

Shoqata e ndërtuesve shprehet e shqetësuar për situatën në tregun e banesave. Sipas tyre mungesa e likuiditetit ul aftësinë për ndërtime të reja.

Ilir Hebovija: “Banesat nuk mund të shiten, sepse edhe po ranë çmimet për shkak të krizës njerëzit nuk do kenë mundësinë t’i blejnë, domethënë tregu është i bllokuar, edhe po dhanë leje prapë mungesa e likuiditeteve nuk do ta bëjë këtë treg aktiv do me thënë, sepse ky treg funksionon mbi bazën e kërkesë-ofertës, por në qoftë se do të bien detyrimisht është kriza.”

Në këtë situatë ekspertët parashikojnë frenimin e rritjes së çmimit të banesave, të cilat vetëm në kryeqytet janë rritur në mënyrë progresive vitet e fundit./tvklan.al

Gazetar: Fjorald Zguro