Arta Tozaj: “Me gjithë rezultatin e traktatit të Lisbonës në Irlandë, politika e zgjerimit të Bashkimit Europian nuk është bllokuar. Qeveria shqiptare ka dy synime së pari të heqë regjimin e vizave Shengen dhe së dyti të aplikojë për statusin kandidat gjatë presidencës franceze.”

Sali Berisha: “Ndonëse kam mirëkuptim të plotë për kërkesën e opozitës që ne të aplikojmë në shtator, unë mendoj se aplikimi për statusin e kandidatit duhet të jetë një proces i negociueshëm midis qeverisë shqiptare, autoriteteve shqiptare dhe KE dhe vendeve anëtarë të BE, kryesues të radhës së BE. Kështu që do të jetë një proces i negociueshëm, pra unë mendoj se nuk është një proces që ne duhet të humbasim durimin, është një proces për të cilin ne duhet të punojmë, ta meritojmë, është një proces që do vijë. Do punojmë shumë, jam i bindur se me seriozitetin e madh që qeveria shqiptare ka dëshmuar në luftën kundër krimit të organizuar, kundër trafiqeve. Përpjekjet për modernizimin e të gjithë gjendjes civile, prodhimin e kartave, letërnjoftimeve dhe pasaportave biometrike, Shqipëria do e meritojë plotësisht heqjen e vizave në BE.”

Arta Tozaj: Mendoni ndonjë datë të përafërt?

Sali Berisha: “Ju e dini që unë e kam zakon që nuk përcaktoj datë, por punoj që të arrihet sa më shpejt.”

Komisioneri Europian për zgjerimin Olli Rehn bëri të qartë gjatë paradites pozicionin e vendeve anëtare përsa i përket zgjerimit. Samiti Europian  sipas tij u shpreh për vazhdimin e procesit integrues të rajonit duke përfshirë këtu aplikimin për statusin kandidat sipas meritave që secili shtet do të dëshmojë në përmbushjen e kritereve të Kopenhangenit.

Sali Berisha: “Mendoj se Shqipëria në drejtim të këtyre kritereve bëri një nga hapat më madhor të 8 vjetëve të fundit me ndryshimin e  sistemit zgjedhor. Duke zgjidhur një nga nyjet e mëdha që krijonte një emër jo të mirë për zgjedhjet  në Shqipëri, një nga problemet  e mëdha. Sikundër reforma për kodin zgjedhor  do të vazhdojë, qeveria po bën përpjekje shumë të mëdha. Për të kompletuar sa më shpejt letërnjoftimet dhe pasaportat biometrike. Në mënyrë që vërtetë të shkohet me një infrastrukturë zgjedhore moderne në zgjedhjet e ardhshme. Pavarësisht sistemit gjyqësor, është një domosdoshmëri tjetër për zhvillimet e demokracisë në Shqipëri. Ligji i ri i miratuar u jep përgjigjen më të mirë disa nga problemet më të cilat është përballuar sistemi gjyqësor. Reformat janë në vazhdim, mendoj se Shqipëria po ecën e sigurt në konsolidimin e kritereve të Kopenhangenit. /tvklan.al

Gazetare: Arta Tozaj