Një takim i jashtëzakonshëm me të rinjtë korçarë ka mbyllur agjendën zyrtare në këtë qytet të kryetarit të qeverisë, Sali Berisha, si pjesë e turit “Shqipëria po ndryshon”. 

Kryeministri e cilësoi rininë shqiptare uragan që do të mundësojë integrimin, arsye kjo për t’i patur të rinjtë në krye të agjendës qeveritare edhe gjatë një mandati të dytë.

Si në çdo fjalim të tij, kryeministri ka nënvizuar rëndësinë e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, një arritje për të cilën siç tha, kontribut të pazëvendësueshëm ka rinia.

Për këtë kryetari i qeverisë u kthye në memorie, vite më parë atëherë kur rinia shqiptare do të shembte murin e komunizmit nisur nga etja e madhe për liri.

Sali Berisha: “Supet tuaja mbartën Shqipërinë në NATO. E nxorën atë nga honet e diktaturës në samitin e NATO-s. Zoti ju bekoftë ju! Zoti e bekoftë rininë shqiptare! Për ju është festë, për ne është festë. Sot për çdo shqiptar është moment solemn, sepse pasioni juaj i lirisë do të jetë uragani i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Jam këtu për t’u zotuar se ne së bashku kohën më të parë të mandatit tonë të dytë do t’i liberalizojmë vizat dhe ju do të shëtisni në mbarë Evropën si qytetarë të lirë të saj.”

Kryetari i qeverisë ofroi përpara të rinjve projekte të qarta që mundësojnë shkollimin dhe punësimin e tyre.

Në katër vite të qeverisjes së demokrateve është dyfishuar buxheti për arsimin. Më shumë se gjysma e shkollave në të gjithë vendin janë të reja ose të rindërtuara.

Premtimi i kryetarit të qeverisë flet për asnjë shkollë të vjetër në mandatin e dytë. Në katër vite është dyfishuar rroga e mësuesve, të cilët kryetari i qeverisë i cilësoi si piedestal të shkollimit.

Si premtim për mandatin e dytë është kompjuter dhe internet për çdo të ri në shtëpinë e ti, një premtim i përmbushur tashmë përsa i takon shkollave. 

Në 2005 numëroheshin 52 mijë studentë, pas katër vitesh 115 mijë. Premtimi i kryeministrit Berisha është që kjo shifër të rritet në 2013 në 160 mijë të rinj që ndjekin shkollimin e lartë.

Zotimet përpara të rinjve kryeministri i bëri duke theksuar se ata janë përparësia absolute e qeverisë që drejton.

Sali Berisha: “Se investimi më i shkëlqyer për të ardhmen është investimi tek ju, tek mendja juaj, tek liria juaj, tek shkollimi juaj, tek punësimi i juaj. Ju keni projektin e Shqipërisë që do vijë. Do bëj çdo investim të nevojshëm që qoftë dhe një fëmijë që do të vazhdojë shkollën të mos mbetet pa shkollë të mesme, qoftë dhe një i ri që do të vazhdojë universitetin të mos mbetet pa vazhduar universitetin. Shkollimi është përparësia jonë. T’i shtrini ambiciet tuaja, mos i frenoni ato se ato janë levë për zhvillimin e vendit. Ju ftoj, ju ftoj të aplikoni në universitetet më të mira të Evropës dhe të botës. Sado që të kushtojë çdo i ri dhe e re që fiton të drejtën të ndjekë studimet në 10 universitetet më të mira të planetit do të punësohet nga qeveria ime”./tvklan.al