Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Paketë e zbutjes së reformave e ka quajtur kryeministri uljen e tarifave të telefonisë fikse dhe faljen e faturave të papaguara të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, që prej vitit 1994.

Fatos Nano:- “Të gjithë konsumatorët familjarë, që kanë detyrime të pashlyera ndaj KESH-it, qysh nga viti 1994, u falen detyrimet me kusht, që efektet t‘i përfitojnë nga momenti kur konsumatori pranon instalimin e matësit të energjisë elektrike. Minsitri i Financave dhe Ministri i Energjisë, të studiojnë dhe të sjellin për vendimmarrje në mbledhjen më të afërt të qeverisë, reduktimin në zero të tarifës doganore të gazit të lëngshëm”.

Kryeministri Nano, gjatë Komitetit të Politikave Ekonomike, propozoi përgjysmimin të tarifave të telefonisë fikse për 600 impulset e para.

Fatos Nano:- “Për kategorinë familjare do të thotë që konsumatorët e familjeve do të kenë çmimin e ri për 200 minuta bisedë telefonike në muaj, që do të thotë që fatura mujore e një abonenti familjar prej 600 lekësh do të përfshijë pagesën për mirëmbajtje, tvsh dhe një bisedë lokale prej 200 minutash”.

Për herë të parë Nano pranoi publikisht se reformat e çmimeve nuk kanë qenë transparente.

Fatos Nano:- “Unë pranoj në emër të qeverisë se duhet të ishte bërë shumë më tepër prej saj, për krijimin e kushteve që përgatisin publikun e gjerë për efektet e reformave. Kjo ka sjellë jo rrallë komunikim të tensionuar midis përfaqësuesve të publikut dhe institucioneve shtetërore, apo dhe midis këtyre të fundit me njëri-tjetrin”.

Kryeministri paralajmëroi ndryshime rrënjësore me synim përmirësimin e bilanceve për kompanitë Albtelecom dhe KESH. Nano kërkoi gjithashtu rinegocim nga ana e Albtelecom-it të marrëveshjeve të interkonjeksionit, të përfolura kohët e fundit./tvklan.al