Kërkojmë që forcat speciale dhe komando të qëndrojnë në Tropojë deri në vendosjen reale të rendit. Ka qënë ky apeli i Kryetarit të Bashkisë së Tropojës, Sadri Isufi i cili ka përshkruar edhe situatën më të fundit në qytetin e tronditur nga krimi.

Sadri Isufi: Situata e tanishme në Tropojë përgjithësisht është e qetë. Forcat e policisë të ndërhyrjes së shpejtë kanë situatën në kontroll në qytet dhe në përgjithësi në të gjithë rrethin e Tropojës. Gjendja siç thashë është e qetë dhe njerëzit duke parë dhe ndërhyrjen e forcave të policisë ndoshta pak me vonesë, por gjendja tani shkon drejt përmirësimit.

Sadri Isufi lidh mungesën e qetësisë dhe anarshi në këtë qytet me pamundësinë e policisë lokale për të vepruar.

Sadri Isufi: Policia Lokale ka pasë dhe vështirësitë e saja duke parë edhe situatën, gjendjen si rreth kufitar ka pas edhe probleme të shumta dhe policia lokale ka pasur dhe mungesa në mjete, mungesa në logjistike dhe kuptohet dhe impenjimi i qendrës për ta ndihmuar nuk ka qënë në nivelin e kërkuar. Pushtetit Qëndror i kërkojmë një impenjim më të madh sepse deri tani impenjimi në lidhje me rendin ka qënë tepër i paktë dhe dëshirojmë që ky impenjim që është tani të vazhdojë me një përkushtim akoma më të madh.

Ministria e Rendit i ka marrë masat e para me shkrirjen e Komisariatit të Tropojës dhe emërimin në postin e Drejtorit të Policisë, Shefin e Forcave Speciale të Republikës Niko Brahimi. Por ky është vetëm fillimi. Mesa duket qetësia në Tropojë mund të rikthehet vetëm pasi e keqja të shkulet nga rrënjët./tvklan.al

Gazetare: Ornela Bego