Lajme Arkiva 2003

Alba Film Studio ose ish Kinostudio shqiptare tani do të ketë një drejtor të ri. Në maratonën e gjatë të halleve që ka ky institucion i cili po kalon krizën më të thellë në historinë  e tij 51 vjeçare tani do të shënohet emri i një tjetër kineasti që do të përpiqet të ngrejë sadopak në këmbë atë që ka mbetur nga lavdia e dikurshme e ish Kinostudios.

Pas largimit të regjisorit Besnik Bisha nga posti i drejtorit dhe pas debateve dhe takimeve me kineastët shqiptarë ministrja e Kulturës Rinisë dhe Sporteve Arta Dade, ka vendosur në krye të Alba Film-it, skenaristin dhe regjisorin Kujtim Gjonaj.

Edhe pse e gjen këtë vend më të rrënuar se kurrë drejtori Gjonaj shprehet se pas takimit të kineastëve me ministren Dade është gjetur gjuha e përbashkët për zbatimin ligjit i cili parashikon kthimin e Alba Film Studio në shoqëri aksionere.

Ai thotë gjithashtu se puna për rindërtimin e këtij institucioni do të mbështetet në dy strategji, një afatshkurër dh enjë tjetër që do të kërkojë një periudhë kohore më të gjatë.

 Kujtim Gjonaj: Një strategji afatshkurtër,  domethënë që të ruajmë çfarë mund të ruhet nga zhdëmtimet, do ta quaja kështu në një fjalë të përgjithshme dhe të mundemi të sigurojmë mundësinë që ata njerëz që punojnë këtu të marrin atë pagën e tyre. Strategjia tamam për Alba Film Studion, destinacioni i saj për kinematografinë është që Alba Film Studio të jetë një servis i fuqishëm për prodhimin kinematografik. Ligji për kinematografinë ndau më vete Alba Film Studio si servis, krijoi Qendrën Kombëtare të kinematografisë, krijoi edhe shtëpitë filmike, producentët. Bashkëpunimi me këta do të bëjë që Alba Film Studio të jetë një servis i mirë, duke fuqizuar dy pika tejet të rëndësishme të Alba Film servisit, që është reparti i zërit, një domosdoshmëri ku përpunohet artistikisht dhe teknikisht kolona zanore e një vepre kinematografike dhe përpunimi teknologjik i filmit në laborator./tvklan.al