Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesërisht ligjin e qeverisë Rama për tatimin mbi profesionet e lira duke shfuqizuar tatimi 15 deri në 23 përqind për profesionet e lira.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, kjo ishte një masë joproporcionale dhe se këto kategori do duhet të taksohen në 2029 si të gjithë bizneset e tjera të vogla. Kryetarja Holta Zaçaj u shpreh se me këtë ligj është cënuar liria e veprimtarisë ekonomike.

Ankuesit Partia Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët dhe avokatët, kishin deklaruar se ky ligj jo vetëm që cënonte sigurinë juridike, por vuri në zbatim që nga 1 Janari i këtij viti një taksë të padrejtë dhe diskriminuese për 30 mijë subjekte të vetëpunësuar.

Sipas ankuesve tatimi i profesionistëve të lirë kishte mbyllur qindra biznese dhe shtrenjtuar shërbimet që ofrojnë.

Në argumentat e saj qeveria pretendonte se për 9 vite kjo kategori e profesionistëve të lirë nuk ka paguar tatim ndërsa të ardhurat kumulative, deklaruar nga profesionet e lira në 5 vite arrijnë në 3 miliardë USD ndërsa fitim neto 1,7 miliardë USD, me një mungesë arkëtimi të ardhurash në vlerën e 25 miliardë Lekëve.

Po ashtu qeveria ka argumentuar se ligji nuk është diskriminues ndërsa ka ndodhur krijimi i skemave abuzuese për t’iu shmangur tatimit, nga kjo kategori e privilegjuar.

Klan News