Epoka 7-vjeçare në Paris ka mbaruar dhe në horizontin e Kylian Mbappé ka një kapitull të ri. Real Madrid ka arritur tashmë akordin me sulmuesin francez dhe zyrtarizimi parashikohet të bëhet pas finales së 1 qershorit në Champions League.

Sido që të jetë verdikti i atij takimi ndaj Borussia Dortmund, Mbappé është bindur nga projekti për t’u transferuar tek Mbretërorët. Shifrat janë ato që interesojnë në këtë moment, me mediat spanjolle që raportojnë se 25-vjeçari do të bëhet lojtari më i paguar nën urdhrat e trajnerit, Karlo Ancelotti.

Marrëveshja është për pesë vitet e ardhshme, deri në vitin 2029 , dhe Mbappé do të bëhet lojtari më i vlerësuar në skuadrën e Real Madridit. Paga është ulur ndjeshëm në krahasim me ato që përfitonte tek Pari Së Zhërme, gjithsesi bonuset personale dhe ekipore do ta shndërronin Mbappé në një perandori parash.

Në Paris ai merrte rreth 30 milionë euro neto, ndërsa në Spanjë 20 milionë në vit, por që do arrinin në rreth 50 milionë duke përfshirë bonuset. E drejta e imazhit është çështja që po diskutohet mes palëve dhe ajo që mbetet ende për t’u zgjidhur, me përfaqësues të lojtarit që duan përqindjen më të lartë.

Mbappé do të linte pas në këtë renditje speciale të pagesave emra si Vinicius dhe Xhud Belingam të cilët janë aktualisht edhe më të paguarit në klub. Mbappé e iu bashkua Paris Saint Germain në verën e vitit 2017 nga Monaco për shumen e 180 milionë eurove.

Në shtatë sezone ai shënoi 255 gola në 306 paraqitje. Kapiteni i Francës fitoi 6 kampionate, 2 kupa të Ligës, 3 kupa franceze dhe 4 superkupa franceze. Mbappé ka qenë lojtari më i mirë në historinë e PSG-së dhe golashënuesi më i mirë në ligën franceze në gjashtë nga shtatë sezonet që ka qenë në Paris.

Klan News