Trajneri Sylvinho tregon se në kombëtaren shqiptare të futbollit, atmosfera është shumë e mirë.

Skuadra ka nisur përgatitjet për kampionatin europianin “Gjermani 2024”. Tekniku tregon se kuqezinjtë kanë si synim të jenë në gjendje optimale.

“Kam parë motivimin e duhur te skuadra! Nuk na mungon karikimi dhe motivimi, kjo është një gjë shumë e bukur. Kemi lojtarë me karakteristika të ndryshme. Euro 2024 është turne i shpejtë dhe dinamik. Duhet të përgatisim sa më mirë lojtarët, që të japin kontributin e tyre për kombëtaren e Shqipërisë. Në një turne të tillë si Europiani 1 minutë mund të bëjë diferencën. Në çdo moment mund të ndryshohet situata, çdo futbollist mund të bëjë diferencën. Lojtarët që nuk e kuptojnë këtë situatë i bie që të mos jenë në gjendje të zbresin në fushën e lojës.”

Në vazhdim, tekniku u ndal edhe te dy miqësoret e Shqipërisë, ajo e së hënës mbrëma kundër Lihtenshtejnit dhe 4 ditë më pas me Azerbajxhanin, që do të luhet në Hungari.

“Ideja ime është që në miqësoret ndaj Lihtenshtejnit dhe Azerbajxhanit të hedhim në fushë lojtarët që kanë luajtur më pak. Dhe gjithashtu të rikuperojmë ata që kanë luajtur më shumë me klubet e tyre. Ndeshja e radhës nuk është vendimtare për zgjedhjet tona në Europian.”

Sylvinho i’u përgjigj edhe kritikëve pas publikimit të listës, ku nuk u përfshirë futbollistët Myrto Uzuni, Keidi Bare dhe Sokol Cikalleshi.

Kushdo në Shqipëri do të bënte një listë me zgjedhjet e tij! Ndoshta as unë nuk do isha dakord. Nuk kam kohë të dëgjoj se çfarë thuhet në publik. Unë duhet që të vija në këtë grumbullim me 27 futbollistë. Kam shumë punë për të bërë dhe nuk kam kohë të ndjek debatet që krijohen!”

Për trajnerin kuqezi, pjesëmarrja në Gjermani 2024 do të jetë një eksperiencë që të jep shumë adrenalinë dhe që duhet shijuar.

Klan News