Luftime të ashpra po zhvillohen në Osetinë e jugut, rajoni separatist i Gjeorgjisë mes forcave të Tbilisit dhe rebelëve. Armëpushimi i ofruar nga presidenti Saakashvili, pas intensifikimit të tensionit mes 2 palëve zgjati vetëm pak orë dhe shpërthyen luftimet.

Qeveria gjeorgjiane thotë se pas një beteje intensive gjatë natës trupat e saj kanë rrethuar kryeqytetin e rajonit separatist, Ckinvali. Gjeorgjia thotë se qëllimi i saj është t’i japë fund një regjimi kriminal dhe të kthejë rendin dhe paqen. Ka njoftime për 15 të vdekur dhe mbi 20 të plagosur në bombardimet rreth qytetit. Avion luftarak rus kanë sulmuar objektivat në Gjeorgji ndërsa qindra luftëtar rus dhe nga Apkazia janë nisur për tu ardhur në ndihmë separatistëve.

Secila palë fajëson tjetrën për provokimin e luftimeve ndërsa Rusia që përkrah separatistët i ka bërë thirrje udhëheqësve ndërkombëtar dhe OKB-së të ndihmojë në dhënien fund të dhunës. Presidenti Dimitri Medvedjev ka thirrur me urgjencë këshillin kombëtar të sigurisë. Osetija jugore dhe Apkazia u ndanë në vitin  1992 nga Gjeorgjia dhe synojnë bashkimin me Rusinë. Gjeorgjia akuzon Rusinë se po armatos forcat rebele. Moska thotë se Tbilisi po mobilizon trupat e tij rreth këtyre 2 rajoneve dhe se do të mbrojë me forcë qytetarët e saj. Shumica e banorëve në Osetinë e jugut kanë pasaporta ruse./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle

Montazh: Vilma Halilaj