Lajme Arkiva – TV Klan 2001

Forcat maqedonase bombarduan sot me artileri, pozicionet e luftëtarëve shqiptarë, në ditën e tretë të luftimeve, pas thirrjeve drejtuar civilëve të Kumanovës, për t’u larguar nga zonat civile. Këto thirrje janë transmetuar edhe nëpërmjet radios kombëtare. Përfundimi i tyre u shoqërua me sulme artilerie dhe helikopterësh luftarakë kundër pozicioneve të dyshuara si baza të luftëtarëve shqiptarë.

Po sot i janë përgjigjur edhe përfaqësuesit e UÇK në Maqedoni. Komandant Hoxha deklaroi, se forcat maqedonase, nuk do të arrijnë kurrë t’i dëbojnë nga pozicionet e tyre luftëtarët e rajonit të Kumanovës. Ai hodhi përsëri poshtë akuzat e Shkupit, sipas të cilave, UÇK ka ngritur prita ndaj ushtrave dhe policëve maqedonas.

Përleshjet në Maqedoni, kërcënojnë të sabotojnë përpjekjen ndërkombëtare për zgjidhjen politike, të kërkesave të shqiptarëve. Ndërkohë Havier Solana dhe Xhorxh Robertson, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, pritet të zhvillojnë këtë të hënë bisedime me qeverinë maqedonase./tvklan.al