Një çerdhe dhe 4 kopshte publike në qytetin e Lushnjës janë mbyllur për shkak të kushteve higjieno-sanitare. Nga kontrollet e ushtruara nga ekspertët e drejtorisë rajonale të bujqësisë, ka rezultuar se ambientet e gatimit në këto institucione kanë qenë të pa përshtatshme për përgatitjen e ushqimit të fëmijëve. Për këto shkelje janë marrë dhe masa administrative me gjoba deri në 500 mijë lekë.

Vjollca Arapi: “Erdhën këta kontrollorët e qarkut të Fierit  që janë të higjienës dhe ushqimeve dhe na nxorën problem vetëm për lyerjen dhe për aspiratorin për ta vënë këtu. Na dhanë urdhër që të mos gatuhet.”

Por gjobitja e të vetmes çerdhe publike dhe 4 kopshteve në Lushnje, ka hapur polemikë mes Drejtorisë Rajonale të Ushqimit në Fier dhe Inspektoratit të Higjienës në Lushnje.

Këta të fundit shprehen se me penalitetet e aplikuara janë tejkaluar kompetencat që i njeh ligji drejtorive rajonale të bujqësisë dhe ushqimit.

Isuf Çela: “Kontrolli është bazuar në kushtet higjieno-sanitare të këtij institucioni, gjë që është ekskluzivisht e jona, e ligjit tonë të inspektoratit higjieno-sanitar. Këtu ka një konflikt institucional midis dyve, neve dhe atyre.”

Nga ana e tyre drejtues të pushtetit lokal në Lushnje nuk kanë pranuar të komentojnë këtë çështje, por kane nisur punën për rikonstruksionin e këtyre çerdheve dhe kopshteve të mbyllura./tvklan.al