Pak minuta para anëtarësimit të Shqipërisë me të drejta të plota në Aleancën e Atlantikut të Veriut Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, i bëri thirrje të gjithë shqiptarëve të marrin pjesë ditën e nesërme në organizimet festive që do të mbahen në kryeqytet me rastin e anëtarësimit të vendit tonë në NATO.

Majlinda Bregu: “Besoj e gjithë dita e nesërme është një ditë e mbushur me aktivitete. Do të ketë aktivitete duke filluar nga Rinasi, ceremonialin zyrtar, por jo vetëm. Do të ketë grupe, target grupe të ndryshme, të cilat sipas mënyrës së tyre do të shprehin dhe do të përshëndesin hyrjen e Shqipërisë në NATO. Aktivitetet do të fillojnë në orën 12 live, në mbërritje të delegacionit shqiptar dhe do të vazhdojnë deri në orën 9 të darkës. Besoj që tanimë edhe me këtë dekor që i është krijuar Tiranës, i cili është një dekor festiv, por gjithsesi edhe elegant. Kanë mundësi të gjithë ata që do të vijnë nesër në këtë koncert.”

Aktivitete te larmishme kulturore do të mbahen ditën e nesërme në kryeqytet, të cilat do të fillojnë në aeroportin Nënë Tereza me ardhjen e delegacionit shqiptar nga Strasburgu si dhe do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës në festën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO./tvklan.al