Në një maratonë të gjatë prej 31 ditësh, TV Klan mbuloi ngjarjen më të madhe futbollistike të kontinentit, Kampionatin Europian Gjermani 2024, me transmetimin ekskluziv dhe pa pagesë të 51 ndeshjeve dhe një programacion të dedikuar të sfidave mes skuadrave.

Në fakt emocionet ishin të mëdha në këtë Europian për shkak të pjesëmarrjes së kombëtares kuqezi. Grupe të dedikuara xhirimi shoqëruan kombëtaren gjatë gjithë qëndrimit dhe ndeshjeve të saj në Dortmund, Hamburg e Duseldorf.

Intervista dhe raportime live nga grumbullimi i Kombëtares, pamje dhe lajme ekskluzive nga stërvitjet e përfaqësueses, ishin fjala kryesore e 10 ditëve të përfaqësimit të kuqezinjve në Gjermani. Atmosfera e tifozëve shqiptarë u përcoll live me lidhje direkte dhe intervista nga tre qytetet ku Shqipëria luajti kundër Italisë, Kroacisë e Spanjës.

Më shumë se 50 mijë morën pjesë në ndeshjen e parë të kombëtares kundër Italisë, por në numër të jashtëzakonshëm ishin edhe në sfidat ndaj Kroacisë dhe Spanjës, duke dhuruar një shfaqqen më të bukur të tifozerive në të gjitha ndeshjet e luajtura në gjermani

Tv Klan me transmetimet e gjithçkaje ndodhte me kuqezinjtë, solli në çdo ekran, emocionet e papërsëritshme të djemve tanë që u përpoqën të bënin historinë në grupin më të vështirë të këtij kampionati. Sfidat e Shqipërisë u komentuan live nga stadiumet me pjesëmarrjen e ish-lojtarëve më të shquar të kombëtares.

Teksa në programet e dedikuara të Europianit të gjitha ndeshjet u analizuan, u diskutuan madje dhe u tentua të bëhen edhe parashikime para çdo sfide. Çdo mbrëmje kulmoi me programin “Kampionët” të drejtuar nga Marina Vjollca me të ftuar të përhershëm dhe specialë.

Me transmetimin e spektaklit në fushë dhe të atij në studion gjigante të Kampionëve, Tv Klan shoqëroi çdo mbrëmje shqiptarët deri në finalen e madhe të Berlinit, për t’i lënë vendin takimit të fundit mbrëmjen e së hënës, që do të kurorëzojë edhe mbylljen e kësaj maratone televizive, që u solli të gjithë shqiptarëve, në familje, zonat e dedikuara apo bare e restorante anembanë vendit, emocionet e papërshkrueshme që vetëm magjia e futbollit di të dhurojë.

Tv Klan